Fiskalizimi/ Ibrahimaj: Vetëm në prill u lëshuan 432.149 fatura nga 2843 tatimpagues

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi se procesi i Fiskalizimit ka pasur një ecuri pozitive në 4 muajt e parë, ku vetëm në prill, në total janë lëshuar 432.149 fatura nga 2843 tatimpagues.

Përsa i përket kostove të biznesit, drejtoresha e Tatimeve gjatë një interviste në medie u shpreh se për të kryer procesin e Fiskalizimit mjafton që biznesi të ketë pajisje tablet të llojit smartphone, tablet, pc, lidhje të pandërprerë interneti, certifikatë elektronike dhe software e Fiskalizimit.

Ibrahimaj renditi edhe disa nga përfitimet e kësaj reforme, siç janë: ulja e informalitetit me rreth 15 %, rritjen e eficiencës së Administratës Tatimore, uljen e evazionit fiskal etj.

Nga 1 janari 2021, nisi zyrtarisht fiskalizimi, reforma e sistemit tatimor ku prezantohet për herë të parë fatura elektronike dhe sistemi i ri i monitorimit të qarkullimit.

Fillimisht, procesi nisi për të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe organeve publike shtetërore, .

Ndërsa nga 1 korriku 2021, procesi shtrihet me transaksionet midis bizneseve dhe më 1 shtator për të gjitha transaksionet me para në dorë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.