Duma: PD kallëzoi 5 herë përpara zgjedhjeve blerjen e votës, SPAK heshti

TIRANË, 7 maj /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Grida Duma deklaroi sot se SPAK heshti, ndërsa PD “kallëzoi në SPAK 5 herë përpara zgjedhjeve dhe në ditën e votimit ushtrinë me dhjetëra mercenarë të Ramës për blerjen e votës”.

Në një deklaratë për mediet, Duma tha se “skema kriminale e blerjes së votës nga aleanca Rama-Doshi-Rakipi ka përfshirë çdo qytet, çdo fshat, çdo lagje në të gjithë vendin”.

“Njësoj si kudo tjetër në Shqipëri, në Bashkinë e Rrogozhinës u zbatua skema e blerjes së votave përmes njerëzve kyç në administratën shtetërore dhe krimit të organizuar. 3 javë para ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të gjithë personat kryesorë të përfshirë në skemën e blerjes së votave. Përveç blerjes së votës, ditën e zgjedhjeve në Rrogozhinë u regjistrua edhe akti kriminal i pengimit të votimit nga njerëz të lidhur me Partisë Socialiste. Kundër këtyre dhe një ushtrie nëpunësish që shpërndanin para, ushqime dhe favore të tjera, që mblidhnin kartat e identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve të opozitës, Partia Demokratike ka bërë 5 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion deri më 25 prill. Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave. Sot, ne po vëmë në dijeni opinionin publik se cilët janë personat e përfshirë në masakrën elektorale të 25 Prillit në Bashkinë e Rrogozhinës duke përfshirë të pesta kallëzimet e dorëzuara në SPAK përpara dhe në ditën e zgjedhjeve”, tha ajo.

Po ashtu, Duma shtoi se “përmes Këshillit Bashkiak nën kontrollin e plotë nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi, është ndryshuar kategoria e dëmit të shkaktuar nga tërmeti për 1700 familje dhe janë shtuar në skemën e zhdëmtimit edhe 961 familje që nuk ishin kategorizuar si familje të dëmtuara nga tërmeti. Me vendimet e datave 24.03.2021 dhe 12.04.2021 Bashkia akordoi grante që arrijnë deri në 35 milionë lekë për familje që thuajse nuk ishin dëmtuar nga tërmeti dhe ka përjashtuar pothuajse familjet e fshatrave Lekaj, Sinaballaj dhe Cikallesh që jetojnë prej 2 vitesh në çadra plastmasi pasi shtëpitë e tyre u rrënuan realisht nga termeti. Përveç granteve të paligjshme, Bashkia Rrogozhinë ka fryrë strukturën e saj në shkurt të vitit 2021 duke rritur numrin e të punësuarve nga 90 në 317, duke shtuar rreth 227 punonjës. Sipas të dhënave janë punësime të qytetarëve që nuk janë banorë të Rrogozhinës”.

“Elidon Bega, me pozicion Këshilltar i Kryetarit të Bashkisë, është nga Berati dhe nuk paraqitej asnjëherë në punë pasi ishte i angazhuar në fushatë për Partinë Socialiste. Lulëzim Haliti është nga Lushnja, gjithashtu burri i hallës së Kryetarit të Bashkisë dhe merrte rrogë tek ujësjellësi pa u paraqitur asnjëherë në punë. Romina Bega dhe Erald Abazi nga qarku i Elbasanit përfitojnë rrogë nga Bashkia Rrogozhinë megjithëse nuk janë banues në Rrogozhinë dhe nuk janë paraqitur asnjë ditë në punë. Një tjetër formë kriminale e blerjes së votës në Bashkinë e Rrogozhinës është lejimi i ndërtimeve pa leje me qëllim maksimizimin e votave për Partinë Socialiste. Përmes Sami Dervishit, Drejtor i shkollës 9-vjeçare Karpën, Bujar Dervishit, Specialist në Komisariatin e Policisë Kavajë dhe Arben Memës, Specialist në Komisariatin e Policisë Kavajë dhjetëra shtetas janë favorizuar të bëjnë ndërtime të paligjshme”, theksoi Duma.

“Të pasigurt se e gjithë kjo skemë kriminale e blerjes së votës me grantet e rindërtimit, me ndihma ushqimore nga Bashkia për banorët, me favorizime për ndërtime pa leje, regjimi Rama-Doshi-Rakipi dërgoi në qendrat e votimit në Rrogozhinë përfaqësuesit e tij për të penguar në mënyrë kriminale votimin e lirë të qytetarëve. SPAK është vënë në dijeni të kësaj skeme kriminale që në fillim të muajit prill, por nuk bëri asgjë. SPAK heshti edhe kur Partia Demokratike dorëzoi kallëzimin e pestë në 25 Prill. Kjo strukturë e re e drejtësisë, që ka për detyrë të hetojë e të çojë para drejtësisë ata që manipuluan rezultatin zgjedhor heshti pas çdo kallëzimi të Partisë Demokratike për të njëjtën bandë që blinte vota në të gjithë Bashkinë e Rrogozhinës për të nxjerrë Arben Ahmetajn deputet dhe për të mbajtur në pushtet regjimin Rama-Doshi-Rakipi”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.