COVID-19 – Studimi më i madh në jetën reale konfirmon efikasitetin e Pfizer

PARIS, 7 maj /ATSH-AFP/ – Vaksina Pfizer/BioNTech është efikase më shumë se 95% kundër COVID-19, por niveli i efektivitetit bie ndjeshëm kur personi merr vetëm një nga dy dozat, sipas një studimi të kryer në Izrael, më i madhi i realizuar ndonjëherë në jetën reale.

Publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”, ky studim zbulon përfitimet për shëndetin publik të një programi kombëtar vaksinimi”, sipas autorëve, shkencëtarëve të Pfizer dhe qeverisë izraelite.

Ata zbulojnë se në Izrael, vendi kampion botëror për vaksinimin, vaksina Pfizer/BioNTech ka qenë motori kryesor i rënies së infeksioneve me COVID-19.

“Sidoqoftë, duhet të jemi të kujdesshëm në përgjithësimin e këtyre përfundimeve për kombet e tjera, sepse shpejtësia e programeve të vaksinimit dhe evolucioni i pandemisë ndryshojnë nga vendi në vend”, paralajmërojnë ata.

Ky studim është versioni i publikuar dhe rishikuar nga shkencëtarë të tjerë të pavarur të rezultateve të para të zbuluara në mars nga Pfizer dhe Ministria izraelite e Shëndetësisë.

Ai përqendrohet në të dhënat e mbledhura nfa 24 janari deri më 3 prill, datë në të cilën  72% e 16 vjeçarëve dhe më shumë  90% e mbi 65 vjeçarëve në Izrael kishin marrë dy dozat e vaksinave  Pfizer/BioNTech.

Analiza përqendrohet kryesisht mbi efikasitetin e vaksinës kundër variantit anglez, quajtur B.1.1.7), dominues në vend.

Studimi tregon se vaksina është shumë efikase tek grupmoshat mbi 16 vjeç shtatë ditë pas dozës së dytë.

Ajo mbron me 95,3% kundër infeksioneve, me 97,2% kundër shtrimeve në spital dhe 96,7% kundër vdekjeve.

Këto nivele mbrojtjeje mbeten të ngjashme edhe të moshat mbi 85 vjeç.

Por ato bien ndjeshëm kur njerëzit kanë marrë vetëm një nga dy dozat: 57,7% kundër infeksionit, 75,7% kundër shtrimeve në spital dhe 77% kundër vdekjeve në moshën mbi 16 vjeç.

“Ky studim tregon rëndësinë e një vaksinimi të plotë tek të rriturit, me dy doza”, theksojnë autorët./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.