BRUKSEL – Stoltenberg: Trupa ruse qëndrojnë ende brenda dhe rreth Ukrainës

BRUKSEL, 7 maj /ATSH-AA/ – Dhjetëra mijëra trupa ruse ende kanë mbetur brenda dhe përreth Ukrainës, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne kemi parë ulje të numrit të trupave ruse, por dhjetëra mijëra mbeten dhe ne gjithashtu po shohim se Rusia ka mbajtur shumë armë … dhe pajisje”, tha Stoltenberg në një prononcim përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel.

Shefi i NATO-s tha se Rusia po vendos gjithashtu kufizime në Detin e Zi, përfshirë hyrjen në detin Azov përmes ngushticës së Kerçit, duke shtuar se NATO-ja duhet të mbetet vigjilente dhe të vëzhgojë nga afër zhvillimet.

“Në përgjithësi, ekziston një prani e konsiderueshme ruse dhe ka shumë më tepër trupa ruse tani, brenda dhe rreth Ukrainës, sesa para rritjes së fundit të tensioneve”, shtoi ai.

Stoltenberg gjithashtu mirëpriti përfshirjen e SHBA-së, Kanadasë dhe Norvegjisë në Bashkëpunimin e Përhershëm të Strukturuar të BE-së (PESCO) dhe tha se “aleatët jashtë BE-së luajnë rol thelbësor në ruajtjen dhe mbrojtjen e Europës”.

Në kuadër të stërvitjes së NATO-s Steadfast Defender 2021, NATO-ja po vendos mijëra trupa në Rumani, tha ai gjithashtu, duke shtuar se kjo “demonstron se si ne mobilizojmë dhe ushtrojmë trupat e NATO-s dhe gjithashtu se si jemi në gjendje t’i vendosim ato në gjithë Europën”. /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.