Balla paraqet argumentet për shkarkimin e Metës: Detyrim moral dhe kushtetues, ka bërë thirrje për përplasje

TIRANË, 7 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi sot detyrim moral dhe kushtetues për mazhorancën nismën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se me këtë nismë synohet t’i hiqet një turp i madh Shqipërisë me këtë President.

“Po si i drejtohet Presidenti popullit ndërkohë që përfaqëson unitetin e kombit: t’i mprehin sopatat, sfurqet, t’i kenë gati për të dielën…! ‘Të kemi frikë nga Amerika se ka raketa, ka edhe Rusia, ka edhe ky koreanoveriori. Kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale së ky. Kemi pasur president që i ka shpallur luftë popullit, apo president që ka shkaktuar debat për mustaqet, por kurrë si ky”, tha Balla.

Balla tha se “ne nuk kërkojmë shkarkimin e Ilir Metës se kemi ndonjë interes specilfik”. Ne, vijoi ai, “nuk po shkarkojmë Ilir Metën se duam të vendosim një përfaqësuesin tonë”.

“Procedura për shkarkimin e Ilir Metës është një detyrim sa moral, që edhe Kushtetutës. T’ia heqim menjëherë turpin në derë Shqipërisë për t’ia lënë turpin Ilir Metës. Përplasja e tij me SHBA-të, makthi i tij se do ta vrasin me raketa, janë të mjaftueshme që komandanti i Forcave tona të Armatosura të lirohet me urgjencë. Mosmarrja e kësaj nisme nga ana jonë do të ishte minimalisht moskallëzim krimi para drejtësisë. Ky është një shërbim që ne po i bëjmë dinjitetit institucional të Shqipërisë sonë. Këtë turp Shqipëria jonë kurrsesi nuk e meriton”, tha ai.

Sipas Ballës, “mosveprimi ynë do të shkonte në limitet e shkeljes së detyrës nëse Kuvendi nuk do të merrte asnjë procedurë shkarkimi dhe do të vazhdonte të lejonte të qëndronte në presidencë një person me këto akte skandaloze”.

“Ndaj i falënderoj të 49 deputetët firmëtarë për këtë shërbim që ne po i bëjmë dinjitetit institucional të Shqipërisë tonë”, tha ai

Balla i drejtoi një thirrje po ashtu edhe Lulzim Bashës. “Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë. Meta para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore ka shkelur rëndë Kushtetutën. Ai nuk ka përfaqësuar unitetin e kombit por përkundrazi ka bërë thirrje për përplasje, thirrje që ccuan deri në konflikte me armë”, tha Balla.

Balla parashtroi argumentet e grupit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta:

– Të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e dhënë nga sovrani në ushtrimin deri në përfundim të mandatit të deputetit të legjislaturës IX;
– Bazuar edhe në paralajmërimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë datë 13.06.2019 sipas së cilës, ndër të tjera, “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë dhe rivendosë institucionin e Presidentit brenda kufijve të kompetencave të parashikuara në Kushtetutë dhe të parandalojë ndërmarrjen e veprimeve të tjera që janë në shkelje flagrante të Kushtetutës”;
– Në kushtet e nevojën emergjente për rivendosjen e menjëhershme të ligjshmërisë në institucionin e Presidentit të Republikës;
– Me qëllimin e vetëm atë të sigurimit të besueshmërisë të të gjithë popullit shqiptar te roli i Kreut të Shtetit, si një nevojë në një shoqëri demokratike dhe shtyllë thelbësorë e Shtetit të së drejtës;
– Të bindur në argumentat tona se Presidenti i Republikës gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën, ka cenuar ndjeshëm besueshmërinë e qytetarëve në rolin e Kreut të Shtetit dhe nuk ka ushtruar detyrën e tij kushtetuese;

Në përputhje me parashikimet e neneve 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe 112 të Rregullores së Kuvendi, kemi paraqitur kërkesën si më poshtë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta.

Në abuzim dhe tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrantë të Kushtetutës, z. Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me arme dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit.

Deklaratat dhe mesazhet e intensifikuara të Presidentit në atë periudhë qartazi favorizonin partitë opozitare dhe që njëkohësisht denigrojnë mazhorancën, duke cenuar kështu rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe duke shkelur paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës.

Përveç sa më sipër, të gjitha aktet e kryera nga Presidenti janë në kundërshtim me detyrimet ligjore për etikën e funksionarit të lartë publik dhe denigrojnë njëkohësisht figurën e institucionit të Presidentit të Republikës.

Me këto akte të përsëritura Presidenti ka shkelur rëndë detyrimet kushtetuese që burojnë nga neni 88/3 të Kushtetutës (Formula e Betimit), për të cilat është betuar t’i qëndrojë besnik që në momentin e parë të marrjes së detyrës së Presidentit.

Këto akte gjithashtu janë në kundërshtim me parashikimet e neneve 82, 89 dhe 94 të Kushtetutës dhe përbëjnë shkaqe nga ato që parashikohen shprehimisht në nenin 90, paragrafi 2 i Kushtetutës për shkarkimin nga detyra të Presidentit.

Ne, kërkuesit duke vlerësuar se aktet e kryera nga Presidenti janë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës kërkojmë shkarkimin e tij në përputhje me nenin 90/2 të Kushtetutës. Kjo dispozitë shprehimisht thotë: “(…) 2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”.

Në analizë të kësaj dispozite kushtetuese rezulton se:
– Shkaqet për shkarkimin e Presidentit janë (i) kryerja e një shkelje të rëndë kushtetuese ose (ii) kryerja e një krimi të rëndë;
– Shkarkimin e Presidentit kanë të drejtë ta kërkojnë jo më pak se 35 deputetë;
– Vendimi i shkarkimit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Kuvendit.
Shkaqet për të cilat ne kërkojmë shkarkimin e Presidentit janë kryerja prej tij e shkeljeve të rënda dhe flagrante kushtetuese siç analizohen në vijim.

II. RRETHANAT
Në mënyrë të detajuar gjenden të listuara bashkëlidhur kësaj kërkese:
Përmbledhje të mesazheve të Z Ilir Meta të shpërndara për publikun në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 nëpërmjet medieve print, online, audiovizuale me transmetim kombëtar dhe/ose rajonal, kryesisht në emisione më shikueshmëri të lartë në “prime time”,
Përmbledhje e artikujve në media të rasteve të dhunës, terrorit dhe vetëgjyqësisë së militantëve të motivuar nga mesazhet e Presidentit si dhe deklaratat e institucioneve publike si KQZ.

Përmbledhje e deklaratave dhe mesazheve të përfaqësive të huaja në Shqipëri
Kushtetuta shqiptare përcakton vetëm kompetencat dhe karakteristikat kryesore te organit: përfaqësues të “unitetit të popullit” – i pavarur nga shumica qeverisëse në parlament – dhe me rol inter partes.

Gjithashtu, sipas nenit 94 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të njohura shprehimisht në Kushtetutë dhe në ligj.
Në praktiken e vendeve me legjislacion të ngjashëm me sistemin kushtetues shqiptar, në ato raste që sjellja e PR rregullohet nga praktika e konsoliduar në vite e institucionit të PR në ushtrimin e fuqive presidenciale, parimi i zbatueshëm është ai i “ vetëpëmbajtjes (self restraint)” të Presidentit.

Në situata që mund të përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, Presidenti në rolin e tij si përfaqësues i unitetit kombëtar mund të drejtojë thirrje publike për qetësi, maturi, vetëpërmbajtje apo dialog midis aktorëve të ndryshëm ose bashkëpunim me qëllim uljen e tensioneve.

Në çdo rast, doktrina kushtetuese pranon se “aktiviteti politik” i Presidentit nuk duhet te turbulloje ekuilibrin politik që është konkretizuar në formën e qeverisjes së miratuar prej legjislativit dhe duhet të ketë gjithnjë parasysh mazhorancën e zgjedhur nga populli. Kështu kushtetuta italiane në Nenin 89 parashikon një mekanizëm specifik që kufizon ushtrimin e kompetencave presidenciale nëse aktet e PR janë në kundërshtim të plotë me ekzekutivin dhe shumicën parlamentare – dekretet me valencë politike duhet të kundërfirmosen prej shefit të ekzekutivit. Kjo garanton mungesën e angazhimit politik të Kreut të Shtetit.

Në ato raste ekstreme që ndërhyrja e Presidentit mundet të justifikohet me nevojën për të garantuar Kushtetutën, ajo nuk mund të ketë objekt dhe qëllim tjetër, veçse të orientojë organet e tjera kompetente të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Doktrina kushtetuese, sistemi kushtetues shqiptar, tradita e vendeve të ngjashme me sistemin tonë kushtetues, përjashton kategorikisht mundësinë që PR të mund të realizojë një drejtim politik të pavarur presidencial.

Ilir Meta në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka humbur rolin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar dhe moderatorin e konfliktit politik, përkundrazi me mesazhet e tij drejtuar publikut në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka treguar se linja e tij politike është e qartë, kundër mazhorancës në pushtet dhe popullit që atë e mbështet.

Në fakt, edhe në periudhën përpara 2021, me sjellje të përsëritura prej 2017, kohë kur mori funksionin e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta ka kthyer me dekret një numër të konsiderueshëm të akteve ligjore të miratuara nga Kuvendi, ka rrëzuar propozime të kreut të ekzekutivit, ka refuzuar të emërojë anëtarë të sistemit gjyqësor, prerogativë e tij, ka refuzuar të pranojë betimin e një anëtari të zgjedhur nga Kuvendi për Gjykatën Kushtetuese etj.

Ky abuzim i hapur i kompetencave kushtetuese është tashmë kthyer në një “traditë të konsoliduar” të Kreut të Shtetit, prerogativë që Kushtetuta ia njeh Kreut të Shtetit vetëm në disa raste të izoluara – si p.sh., kthim ligjesh, mosakordim shtetësie etj. – mekanizëm që ka si qëllim konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, por në asnjë mënyrë si mjet i tij i presionit. Kjo sjellje abuzive ka krijuar një klimë të vështirë të funksionimit të institucioneve dhe dëme të konsiderueshme si në ekonominë e vendit ashtu edhe në besueshmërinë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë tek institucioni i PR në veçanti dhe në demokracinë shqiptare në përgjithësi.

Më konkretisht, hyrja e vonuar në fuqi e nismave ligjore, të ardhura si shkak i procedurave parlamentare të shqyrtimit të dekreteve të kthimit të ligjeve nga PR konsiston në disa muaj deri në 1 vit. Kjo vonesë ka sjellë dëme të konsiderueshme të ekonomisë dhe financave të vendit si dhe cënim të mirë funksionimit të jetës parlamentare të legjislaturës IX.

Me të njëjtin qëllim abuzues të kompetencave të njohura nga Kushtetuta, Presidenti uzurpon kompetencën kushtetuese të Kryeministrit dhe Kuvendit duke mos dekretuar ministra, duke mos miratuar/dekretuar marrëveshje financiare në emër të Republikës; duke mos emëruar ambasadorë apo funksionarë shtetëror ushtarak apo civil, fakte këto të njohura publikisht.
Gjithashtu, Ilir Meta nëpërmjet akordimit pa asnjë procedurë të titujve dhe dekoratave apo dhënien e shtetësisë shqiptare për persona të cilët nuk përmbushin kriteret ligjore apo nuk kanë kaluar nëpër procedurat e kontrollit ligjor tregon qartë abuzimin e Ilir Metës me kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Në një rast flagrant të tejkalimit të kompetencave kushtetuese nga Presidenti, Kuvendi i Shqipërisë, për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, nëpërmjet Rezolutës së datës 13 qershor 2019 i bëri thirrje Ilir Meta të rikthente ligjshmërinë në institucionin e Presidentit të Republikës.

Me të njëjtën frymë të abuzimit dhe tejkalimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politike por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të FA.

Mesazhet publike të Presidentit një ditë para ditës së votimit, e rregulluar ligjërisht si dita e heshtjes zgjedhore në respekt të të drejtës kushtetuese të individëve për të zgjedhur, intervistat e tij të shpeshta, në mediat print, audiovizive apo mediet elektronike, mesazhet ditore në rrjete sociale, të mbushura me etiketime ndaj figurave të larta shtetërore si Kryeministri, deputetë apo drejtues politikë të mazhorancës në qarqe të caktuara, mesazhe denigruese ndaj përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike në Shqipëri si persona të shituar e të blerë nga mazhoranca apo Kryeministri, jo vetëm ulën besueshmërinë e Presidentit si përfaqësues i unitetit të kombit, si një entitet unik, i cili ka si funksion promovimin e imazhit dhe reputacionit të kombit të vet si brenda dhe jashtë vendit, por të publikuara edhe nga mediat e huaja cënuan rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjike të Shqipërisë si BE dhe SHBA.

Mesazhet e Ilir Meta në platformën e rrjetit social Facebook në periudhën zgjedhore 2021 kanë një intensitet të shtuar në raport me periudhat e tjera të vitit. Vetëm në ditën e heshtjes zgjedhore, në datë 24.04.2021 Presidenti ka nxjerrë një seri mesazhesh denigruese, intimiduese dhe me anësi të qartë politike.

Këto mesazhe në rrjetin social janë publikuar në një numër të konsiderueshëm mediash apo shpërndarë në rrjete sociale.

Intensiteti i shtuar i mesazheve dhe daljeve publike të Presidentit gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 gati të përditshme, konkurrojnë me përfaqësuesit e lartë të subjekteve zgjedhore të cilët në atë periudhë e kanë të deklaruar aktivitetin e tyre në kërkim të votës për subjektin që përfaqësojnë.

Qëllimi i prezencës së shtuar të Presidentit në media në këtë periudhë dhe sidomos agresiviteti i tij drejt drejtuesve të misioneve diplomatike, të organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesve të lartë të shteteve të rajonit dhe jo vetëm, drejtuesve të forcave të policisë, anëtarëve të gjyqësorit dhe prokurorisë kanë shkelur rëndë funksionin e Presdientit dhe kanë cënuar procesin zgjedhor si dhe kanë cënuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon.

Presidenti në të gjitha daljet e tij publike ka kryer aktivitet partiak, në mbrojtje të interesit të një grupimi të individëve të cilët kryesisht i përkasin opozitës, duke ftuar popullin për të treguar maturi dhe “rrëzuar regjimin në fuqi”. Përdorimi i termave si “banda në pushtet”, “banda e rilindjes”, etiketimi i përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave si “përfaqësuesi i Ndrangeta”, cilësimi i nevojës për përdorim të votimit në datë 25 Prill si ditë referendumi që “përfundon bandën në pushtet” janë thirrje të hapura kundër mazhorancës qeverisëse, të ngjashme me ato të përdorura nga liderët e partive opozitare.

Sa sipër, qartësisht Presidenti ka kryer veprimtari të njëanshme partiake, antimazhorancë, e cila bie ndesh me vullnetin e hartuesve të Kushtetutës shqiptare, të cilët në nenin 89 parashikojnë në një dispozitë ndaluese se “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”.

Siç mund ta vini re nga përmbledhja e qëndrimeve dhe mesazheve të Presidenti në publik, nga sjelljet apo prezenca e tij aspak “presidenciale”, në takime me persona të papërshtatshëm apo qartësisht të pozicionuar në kahe politike të qarta anti – mazhorancë, tregojnë se Presidenti Ilir Meta gjatë kësaj periudhe ka rrëzuar çdo mundësi për t‘u konsideruar si përfaqësues i “unitetit kombëtar”, person apartiak, në zhvillim të një veprimtarie publike kushtetuese, në përndjekje të një interesi publik të përgjithshëm, veprime këto në kundërshtim me një dispozitë kushtetuese ndaluese.

Presdienti në daljet e tij publike ka intimiduar votuesit duke iu kujtuar se ai vetë apo “populli” do t‘i “presin dorën”, ai vetë apo populli do t‘i arrestonte vetë jo nëpërmjet forcave të rendit apo institucioneve ligjzbatuese. Vargjet e thirrjeve luftatake dhe përdorimi i epiteteve të dhunës, vetëgjyqësisë janë mesazhe të qarta të Kreut të Shtetit drejt popullit, i cili prej tij priste shmangien e konfliktit, jo nxitjen e tij, shmangien e dhunës, jo motivimin e saj si një akt patriotik.

Kjo nxitje dhune dhe intimidimi i Presidentit pak ditë para votimit në kushtet e rritjes së rasteve të terrorit në rrugët e Shqipërisë nga militantë të opozitës të armatosur ose jo që qarkullonin me mjete të partive të tyre politike, më qëllim të qartë kryerjen e akteve të vetëgjyqësisë së motivuara/justifikuara nga Presidenti.

Deklaratat, sjellja, statuset dhe mesazhet e PR në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 janë të mbushura me një veprimtari intensive të PR, e cila nuk përndjek asnjë ushtrim të kompetencave të tij; asnjë orientim koordinues të organeve kompetente; asnjë qëllim të ligjshëm.

Siç rezulton nga rrethanat e parashtuara mësipër dhe konkretisht në statusin e Presidentit të Republikës në rrjetet sociale, në intervistën e dhënë në kanalin me transmetim kombëtar dhe kohë transmetimi “prime time” me shikueshmëri të konsiderueshme, Presidenti qartësisht në vend të mbështesë apo koordinojë punën e tre pushteteve i etiketon si “banda në pushtet”, “banda e rilindjes”, fton popullin të kryejë referendum në 25 prill që t‘i japi fund pushtetit të bandave”, fton popullin të bëjë vetgjyqësi duke ukujtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve se edhe ata do hetohen pas datës 25 prill.

Presidenti ka cenuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës.

Presidenti në vend se të ishte neutral, i paanshëm dhe i pavarur nxiti konfliktin, zhvilloi aktivitet partiak dhe tregoi qartë anësinë e tij për opozitën. Pavarësia e tij garantohet në mishërimin e parimit të përfaqësimit të unitetit të popullit, që nënkupton se Presidenti është i të gjithë popullit, pa iu referuar ndonjë orientimi politik të caktuar dhe se në vendimarrjen përkatëse nuk duhet të mbajë kahje politike.

Me aktet e tij, Presidenti mbajti qartësisht anën e opozitës parlamentare pasi rezulton nga cdo dalje apo mesazh i tij publik.

Përveçse, Presidenti mbajti anën e opozitës dhe ai (presidenti) nuk përfaqëson më gjithë popullin, duke shkelur parimin e unitetit kombëtar, Presidenti mori përsipër të japë leksione demokracie që nuk ekzistojnë në asnjë vend demokratik. Zgjedhjet janë për popullin e jo për partitë. Një shtetar i përgjegjshëm duhet të shqetësohet nëse çdo shtetasi i krijohet mundësia reale të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtën e tij kushtetuese të zgjedhjes.
Kjo situatë pa diskutim që mund të përdoret nga subjektet politike për manovra që pengojnë zgjedhjet sipas interesave të ngushta partiake, që dëmtojnë interesin e përgjithshëm kombëtar dhe rrezikon në krijimin e precedentëve të rrezikshëm për demokracinë, ku zgjedhjet e lira dhe periodike janë një nga themelet e mirëfunksionimit të saj.

Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, forcave të policisë, përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike, çuan në cënimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe cënimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon dhe më gjerë.

Këto mesazhe, sjellje dhe akte të përsëritura të Presidentit në abuzim, tejkalim dhe shkelje të kompetencavë të Presidentit të njohura nga Kushtetuta konsistojnë në shkelje flagrante të Kushtetutes dhe Ligjeve të vendit, të cilat kanë denigruar dhe imazhin institucionit të Presidentit.

Konseguencat e rënda të ardhura si rezultat direkt i këtyre shkeljeve, edhe në kuptim të vlerësimit të komisionit të posaçëm hetimor të shkarkimit të Presidentit në vitin 2019, përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit të cilat çojnë në shkarkimin e Presidentit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.