Aktorja e njohur shqiptare Edi Luarasi feston sot 81-vjetorin

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Aktorja e njohur shqiptare Edi Luarasi feston sot 81-vjetorin e lindjes.

Teatri Kombëtar e uron sot aktoren duke kujtuar disa nga rolet në karrierën e saj të suksesshme.

Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940. Luarasi ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.

U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.

Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.

Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike e më pas u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.

Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.