97 vota pro/ Kuvendi miraton ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.

Me 97 vota pro dhe 6 kundër deputetët miratuan ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit.

49 deputetë të mazhorancës iu drejtuan më herët Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Sipas tyre, në abuzim dhe tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrantë të Kushtetutës, Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit.

Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi kërkesën e deputetëve duke i hapur rrugë ngritjes së komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit.

Në argumentat e paraqitura, deputetët firmëtarë bazohen edhe në paralajmërimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë datë 13.06.2019 sipas së cilës, ndër të tjera, “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë dhe rivendosë institucionin e Presidentit brenda kufijve të kompetencave të parashikuara në Kushtetutë dhe të parandalojë ndërmarrjen e veprimeve të tjera që janë në shkelje flagrante të Kushtetutës”.

Po ashtu, në kushtet e nevojës emergjente për rivendosjen e menjëhershme të ligjshmërisë në institucionin e Presidentit të Republikës; me qëllimin e vetëm atë të sigurimit të besueshmërisë të të gjithë popullit shqiptar te roli i Kreut të Shtetit, si një nevojë në një shoqëri demokratike dhe shtyllë thelbësorë e shtetit të së drejtës; dhe të bindur në argumentet se Presidenti i Republikës gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën, ka cënuar ndjeshëm besueshmërinë e qytetarëve në rolin e Kreut të Shtetit dhe nuk ka ushtruar detyrën e tij kushtetuese; deputetët kërkojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.