Vaksinimi masiv/ Denaj: Aktet normative synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe t’i japin frymëmarrje ekonomisë

TIRANË, 6 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot në mbrëmje se “rialokimet që u bënë në buxhet me aktet normative synojnë që edhe qytetarët të kenë mundësinë e vaksinimit, por edhe ekonomia të hapet përpara se të fillojë sezoni turistik”.

E ftuar në një studio televizive, Denaj foli për aktin normativ të miratuar në fillim të kësaj jave që lëvron rreth 2 miliard lekë për blerjen e 2.2 milionë vaksinave.

“Ne kemi dhe nesër një akt shumë të rëndësishëm në parlament që e shton përsëri fondin rezervë. Është një shtesë me gati 2 miliard lekë e fondit rezervë, por më parë është bërë edhe një alokim me 1 miliard lekë, pra janë gati 3 miliard lekë në total të cilat i shtohen fondit rezervë për të mbështetur blerjen e sa më shumë vaksinave”, tha ajo.

Denaj tha se “vaksinimi masiv ka nisur dhe të gjithë jemi dëshmitar të mënyrës se si ka ndryshuar raportimi i infektimeve sepse ka një frenim të dukshëm të rasteve të infektuara, është këputur zinxhiri i infektimeve”.

“Është një obligim i Kryeministrit Rama për të shkuar në një vaksinim të plotë masiv deri në imunitetin e plotë të popullsisë. Fondet që ishin alokuar në buxhetin 2021 gjatë përgatitjes së buxhetit vitin e kaluar nuk ishin të mjaftueshme për këtë vaksinim masiv, ishin të mjaftueshme për të filluar vaksinimin. Prandaj aktet normative që filluan këtë vit i shkojnë totalisht shëndetësisë për vaksinim. Ne besojmë se me këtë akt normativ që kalon edhe nesër dhe atë që kalon në fillim të kësaj jave kemi plotësuar për një periudhë të gjatë kohe të gjithë nevojën që ka Ministria e Shëndetësisë për të bërë marrëveshje me marrjen e vaksinave të nevojshme për të vijuar më tej me vaksinim masiv”, tha Denaj.

Ajo theksoi se “është jo vetëm obligim ndaj qytetarëve, por edhe ndaj ekonomisë”. “Nëse i kthehemi përsëri çështjes bazë është si reagon ekonomia në raport me pandeminë. E pamë vitin e kaluar për të gjitha ekonomitë, jo vetëm atë shqiptare pati një frenim. Ka akoma ekonomi që janë të frenuara dhe sa më shumë kalojmë nga zona e kuqe e rrezikut në zonën portokalli aq më shumë kemi mundësi të zerojmë fashat orare të aktiviteteve tona ekonomike, por edhe të bëhemi një vend atraktiv për turizmin”, tha ajo

Turizmi është një nga faktorët kryesor të rritjes ekonomike të Shqipërisë, ndaj Denaj tha se “me këtë vaksinim masiv do të sigurojmë që shumë vende ta vendosin Shqipërinë në axhendën e tyre për turizëm”.

“Ne e shikojmë që ka një rezervim të shtuar sidomos këto javët e fundit që vaksinimi ka ecur me ritme shumë të mira. Pra ne nuk flasim vetëm për të realizuar një obligim ndaj shëndetit që është primare, por edhe për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë sa më shpejt të jetë e e mundur”, tha Denaj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.