Vaksinimi/ 6 rrethe me imunizim më të lartë nga vaksinat antikovid

TIRANË, 6 maj/ATSH/ 6 janë rrethet deri tani me mbulesën më të lartë të vaksinimit antikovid në vendin tonë.

Në një prononcim për mediet, përgjegjësja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, Erida Nelaj tha se pas Gjirokastrës, në vend të dytë renditet Vlora.

“Sasitë e vaksinave shpërndahen për çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor në varësi të popullatës që ata mbulojnë dhe fashës moshore dhe ne kemi ecur shpejt për sa i përket fashës mbi 60 vjeç. Ka njësi vendore të kujdesit shëndetësor që kanë ecur mirë si Gjirokastra, Fieri, Vlora, Mirdita që kanë arritur të konsumojnë shumë shpejt sasinë e vaksinës së marrë”, tha ajo.

Sipas specialistëve, këto rrethe kanë krijuar imunizim më të shpejtë për shkak edhe të numrit të lartë të të moshuarve. Edhe kryeqyteti ka një mbulesë të lartë vaksinimi, por përqindja e vaksinimit është më e ulët për shkak të moshës më të re.

“Pjesa e jugut ka popullatë të moshuar dhe automatikisht ka krijuar mbrojtje më të shpejtë të popullatës se atë kontingjent popullate që ka Tirana, që është njësia vendore e kujdesit shëndetësor me vaksinimet më të larta, por duket ende larg të zbresë fasha moshore, pasi popullsia është shumë e madhe dhe shumë e përhapur”, u shpreh Nelaj.

E pyetur në lidhje me procesin e vaksinimit dhe efektet anësore në dozën e dytë, Nelaj thotë se janë shfaqur më shumë efekte se doza e parë.

“Me dozën e dytë personat duhet të presin më shumë efekte anësore, si lodhje trupore dhe temperaturë të lehtë”, tha ajo.

Specialistët thonë se me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave do të ulet fasha moshore për vaksinimin e mëtejshëm të popullsisë.

Deri tani Shqipëria ka siguruar mbi 730 mijë doza vaksine dhe që prej janarit në vend janë kryer mbi 530 mijë vaksinime.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.