U vonua për shkak të pandemisë, por Maluma do vijë në Tiranë/ Zbuloni se kur

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Muzika, jeta e natës dhe koncertet pësuan një goditje të fortë gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Shqipëria sigurisht ndjek trendin e gjithë vendeve të Europës dhe një nga koncertet që pritej me padurim të realizohej vitin që lamë pas, ai i artistit Maluma, u shty për një moment të dytë.

Maluma i konfirmoi datat e reja të turneut “11/11” për gjithë Europën, por për shkak të shifrave të bilancit të viktimave dhe të infektuarve nga COVID-19 turi i tij u shty përsëri.

Lajmi i mirë për të gjithë është se ky koncert nuk u anulua dhe tashmë ka një datë për të.

Duke qenë se edhe vendet e Europës po shkojnë drejt hapjes dhe nisjes së koncerteve, edhe Shqipëria do ta nisë aty ku e la para pandemisë.

Ardhja e Maluma-s në Tiranë u lidh ngushtë me Ditën e Verës dhe data e re e këtij koncerti është vendosur pikërisht në 14 mars 2022.

Bashkia Tiranë dhe kompania “RedCloud” si organizatore e këtij koncerti bën me dije se nuk do të ketë rimbursim të biletave të blera, por ato do të jenë të vlefshme për datën e re të koncertit.

“Të njëjtat bileta mund të përdoren për datën e re”, informon kompania.

Për të gjithë ata që kanë bileta fizike dhe duan t’i ruajnë edhe në e-mail mund të shkruajnë në email [email protected] me emër, mbiemër dhe numrin e biletave të blera dhe stafiorganizator do t’jua dërgojë brenda pak ditësh.

“RedCloud” po zhvillon një platformë unike për të gjithë ata që do të duan të shesin biletat e tyre në individë të tjerë që dëshirojnë t’i blejnë.

Përmes një transaksioni të thjeshtë ata mund të nxjerrin biletat e tyre në shitje.

Në këtë mënyrë të interesuarit që duan të jenë pjesë e koncertit të Malumës mund t’i blejnë ato.

Megjithatë, organizatorët këshillojnë që ata që duan të shkojnë në koncert t’i ruajnë biletat e tyre pasi çmimet e biletave për koncertin e 14 marsit 2022 do të jenë më të shtrenjta.

Platforma www.vivere.al për shitjen e biletave do të jetë aktive brenda muajit maj 2021.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.