Turqia partner strategjik/ Nuk ka ndikim në Shqipëri dhe në rajon

TIRANË, 6 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në konferencën vjetore “State of the Union” organizuar nga Instituti i Universitetit Europian në Firence, Itali se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë.

“Sa i takon Turqisë, kam opinionin tim të fortë që Turqia është themelore për sigurinë e sigurimin e Bashkimit Europian dhe për këtë nuk ka aspak dyshim. Historia e marrëdhënieve është tejet e gjatë dhe e ndërlikuar, por, nga ana tjetër, nuk ka dyshim që Turqia është kyçe në sigurinë dhe sigurimin e BE-së dhe BE-ja është kyç për një Turqi më të fortë”, tha Rama.

Kur vjen fjala për rajonin e për Shqipërinë, Kryeministri tha se “më duhet ta bëj shumë të qartë që kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë, marrëdhënie tradicionale”.

Për ne, theksoi ai, “Turqia është partner strategjik. Marrëdhënia jonë me presidentin Erdogan është e shkëlqyer, por dua ta bëj shumë të qartë: nuk ka asnjë shenjë, jo më fakt, por asnjë shenjë të asaj çfarë kanë pretenduar dhe duan të pretendojnë disa burime se presidenti Erdogan dhe Turqia po ushtrojnë në Shqipëri apo në rajon, nuk e di, ndoshta disa gjëra mund të diskutohen kur bëhet fjalë për Bosnjë-Hercegovinën, por jo tani, më parë, pra, kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin neootomanizimin e rajonit të Ballkanit. Ndonjëherë zemërohem kur shoh e kur lexoj lajme të rreme për xhami që ndërtohen në Shqipëri për të ushtruar këtë lloj ndikimi apo çfarëdo gjëje tjetër. Nuk është e vërtetë”.

Kur bëhet fjala për xhamitë, Kryeministri tha se “jemi shumë mirënjohës për të gjithë projektin e restaurimeve të zonave të trashëgimisë historike që kemi, qofshin këto xhami, kisha apo vende të tjera të shenjta, ku mes të tjerëve, Bashkimit Europian, donatorëve të ndryshëm, kemi patur edhe kontributin e palës turke. Kjo është e gjitha”.

Gjëja tjetër është xhamia e Tiranës, ku Rama tha se “kanë kontribuar për komunitetin mysliman, pasi kishim një katedrale të madhe ortodokse, një katedrale të madhe katolike dhe mungonte xhamia e madhe dhe Komuniteti Mysliman Turk kontribuoi për këtë”. “Kështu që nuk shoh në asnjë lloj mënyre diçka të tillë”, tha ai.

“Kemi për shembull, çështjen e demarkimit detar me Greqinë, një çështje që hyn në kategorinë e problemeve që lidhen me Turqinë e Greqinë, por në asnjë moment, asnjëherë nuk kemi pasur asnjë shtysë e asnjë ndikim nga pala turke për të bërë diçka në këtë drejtim. Ne jemi krejt të pavarur, të lirë e nuk kemi aspak të bëjmë me këtë”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.