Skema Kombëtare/ 613 fermerë më shumë se vitin e kaluar aplikuan për mbarështimin e bletarisë

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) njofton se 2099 fermerë në shkallë vendi kanë aplikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2021 “Për mbarështimin e bletarisë”.

AZHBR publikoi listën e fermerëve aplikantë të kualifikuar, që përfitojnë nga Skema Kombëtare, për Masën 2 të mbështetjeje në Bletari. Sipas AZHBR-së këtë vit janë 613 fermerë të kualifikuar më shumë se vitin e kaluar.

Sipas AZHBR, bletaria renditet e dyta, pas blegtorisë për sa i takon numrit më të madh të aplikimeve, por edhe numrit të fermerëve përfitues.

Aktualisht rezultojnë 2099 aplikantë të kualifikuar nga 1486 që ishin në vitin 2020.

AZHBR bën me dije se të gjithë subjektet që kanë aplikuar dhe janë sipër vijës së kualifikimit duhet të shohin statusin e tyre dhe nëse kanë nevoje që të paraqesin dokumente shtesë pranë agjencisë. Në çdo rast nëse konstatohet diçka e tillë afati për dorëzimin është data 18 maj 2021.

Skema Kombëtare është një ndër politikat mbështetëse financiare, që zbaton qeveria prej disa vitesh për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë në vendin tonë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.