Rilindja Urbane, investimet që ndryshuan Krujën


TIRANË, 6 maj/ATSH/ Pas dy dekadash harrese, Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane ka transformuar edhe qytetin historik të Krujës.

Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga Rilindja e Krujës, ku duket qartë ndryshimi që ka pësuar pjesa tradicionale e qytetit.

Në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në Krujë është bërë rikonstruksioni i Pazarit të Vjetër, rruga e Kalasë dhe Kulla e saj, duke i dhënë Krujës turistike pamjen mikpritëse që meriton.

Parkimi nëntokësor, rregullimi i rrugës hyrëse dhe krijimi i hapësirave me ndriçim dhe gjelbërim e bënë këtë qytet me tërheqës për turistët.

Me një vlerë investimi prej 490 milionë lekë në kuadër të programit të Rilindjes Urbane, bashkia e Krujës është transformuar rrënjësisht duke u kthyer në një hapësirë urbane për 83.000 banorët e saj dhe turistët e shumtë.

Rikualifikimi urban i sheshit “Gjergj Kastriot Skënderbeu” përfshiu zgjerimin, asfaltimin, ndriçimin LED të rrugës kryesore, rrugës “Donika Kastrioti”, rikualifikimin e sheshit “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, kthimin në pedonale të sheshit “Mustafa Kruja”, ndërtimin e parkimit nëntokësor, si dhe ndërtimin e këndit të lojërave.

Sheshi “Gjergj Kastriot Skënderbeu” u kthye nga rrugë me gropa, në një hapësirë në gurë, të zbukuruar nga vazot e varura në mure dhe ullinj, kjo traditë 500-vjeçare.

Tjetër detaj është ndriçimi i zgjedhur me shumë kujdes, i trotuareve në qendër.

Banorët e bashkisë Krujë, tashmë kanë një qendër të re, tre hapësira publike, kënd lojërash, hapësira për parkimin e mjeteve dhe për më tepër e bën qytetin më mikpritës për mijëra vizitorë, të cilët zgjedhin Krujën si qendër të turizmit kulturor./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.