Rektori Hoxha: Provimet në auditore ose online të kombinuara në raport me programet mësimore

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha sot se “sezonin e provimeve sipas vlerësimit tonë do ta zhvillojmë në auditor ose online të kombinuara në raport me programet mësimore dhe nevojës që ka secili prej studentëve”.

Në një konferencë për shtyp pas vendimit të djeshëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve për zhvillimin e konsultimeve dhe provimeve në auditore Hoxha tha se në Universitetin e Tiranës mbi 90 % e provimeve të semestrit të parë u zhvilluan në distance gjë që rezultoi me sukses me gjithë problematikat.

“Me përjashtim të atyre që për shkaqe objektive nuk janë vaksinuar, si unë pasi e kam kaluar vetë COVID dhe nuk ishte e këshillueshme ta bëja vaksinën, por ata që e kanë pasur mundësinë janë vaksinuar. Kemi më shumë se 70-80 % të pedagogëve që janë vaksinuar”, – tha Hoxha.

Sipas tij, kujdesin më i madh është për studentët sesa për personelin.

Sezoni i provimeve në Universitetin e Tiranës do të nisë më 20 maj dhe do të paraprihet nga dy javë konsultime, që do të zhvillohen në auditore, sipas vendimit të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Ky vit shkollor u zhvillua online për të gjithë studentët në vend për shkak të pandemisë COVID-19./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.