Përmirësimi i sistemit të transmetimit të energjisë/ Investime në 17 projekte

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Operatori i Sistemit të Transmetimit ka rritur investimet për sigurimin e furnizimit pa ndërprerë me energji elektrike të nënstacioneve të sistemit të shpërndarjes (OSHEE) dhe konsumatorëve të energjise elektrike të lidhur direkt në rrjetin e transmetimit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se janë 3355 kilometra linja transmetimi dhe energjia e transmetuar llogaritet 9850 MWh.

“Janë 17 projekte në proces, investime këto që po kryhen me fondet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit ndërsa dy projekte të tjera, investime me fonde të huaja janë në proces zbatimi”, tha ministrja.

Këto investime, shtoi ajo, synojnë rritjen e sigurisë së furnizimit me energji.

“Punojmë çdo ditë për të përmirësuar cilësinë e energjisë që ndriçon jetën tonë”, deklaroi ministrja.

OST zhvillon sistemin e transmetimit në përputhje me kërkesat afatgjata të furnizimit të vendit me energji elektrike, me planet e zhvillimit të burimeve të reja të energjisë elektrike dhe koordinon zhvillimin e rrjetit të interkoneksionit me vendet fqinje. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.