Pandemia nën kontroll/ Tomini: Vaksinimi e ka lehtësuar situatën, përgjysmim i incidencës dyjavore

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Situata e COVID-19 në Shqipëri është e kontrolluar bazuar në indikatorët monitorues që janë vlerësuar që në krye të herës së kësaj pandemie.

Kështu deklaroi sot zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini në një intervistë televizive.

“Ndërkohë kemi një përgjysmim të incidencës dyjavore, e cila në mënyrë të qëndrueshme ka pësuar rënie në të gjithë javët e muajit prill dhe në javën e parë të majit kjo incidencë është përgjysmuar”, – theksoi Tomini.

Sipas saj, numri i rasteve të shtruar që kanë kërkuar terapi intensive sërish ka pësuar rënie, ndërsa numri i fataliteteve është i qëndrueshëm.

Tomini tha se “gjatë periudhës së shkurtit që përkoi me pikun e kësaj vale, e cila po shkon drejt një rënie të qëndrueshme aktualisht kemi një pozitivitet të ulët përkundrejt nën 5 % të nivelit aktual që jemi. Ky pozitivitet tregon që është një situatë e kontrolluar”.

Më tej Tomini u shpreh se “edhe në fushatën zgjedhore pavarësisht apeleve të herëpashershme për respektimin e masave kemi pasur sërish grumbullime. Në javën e dytë dhe të tretë të majit pritet një tendencë në rritje e rasteve. Por vala e madhe është lehtësuar”.

Duke folur për vaksinimin Tomini tha se “vaksinimi e ka lehtësuar situatën. Kjo do jetë një verë më ndryshe se vera e vitit të kaluar”.

“Janë disa rajone si Gjirokastra që për shkak të popullsisë së vjetër, e kanë bërë kalendarin e vaksinimit ndaj COVID-19, e pasuar nga Fieri dhe Vlora”, tha Tomini.

Ajo shtoi se duhet të përfundojë kalendari i plotë i personave që kanë marrë dozën e parë dhe duhet të bëjnë dozën e dytë.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.