Ministrja austriake Edtstadler: Shikoj vullnetin e fortë të këtij vendi të ecë me reformat për perspektivën e mirëmerituar për të hyrë në BE

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Ministrja e Austrisë për Europën dhe Kushtetutën Karoline Edtstadler, deklaroi sot në Tiranë se “është e nevojshme që ju të vijoni reformat tuaja, të gjithë hapat që keni ndërmarrë. Mendoj që ka shumë  për të bërë dhe Austria do t’ju mbështesë”.

Në një konferencë për shtyp me kryenegociatorin Zef Mazi dhe ministren e Shtetit për Marrdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, ministrja Edtstadler theksoi se “është kënaqësi që të jem në Shqipëri dhe të shikoj vullnetin e fortë të këtij vendi që të ecë me reformat e nevojshme për të marrë perspektivën e mirëmerituar për të hyrë në BE dhe për të ecur me hapa të mëtejshëm në procesin e integrimit”.

“Austria ka qenë mjaft e zellshme dhe është një përparësi e politikës europiane dhe të jashtme në Austri të mbështesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërinë në procesin e integrimit, por edhe Maqedoninë e Veriut, e meritoni këtë perspektivë”, – tha Edtstadler.

Ministrja Edtstadler u shpreh se “është një çështje besueshmërie nga ana e BE-së që të vijojë me procesin e anëtarësimit. Ne po bëjmë maksimumin, jemi të bindur edhe miqtë tanë në BE që hapat e mëtejshëm duhet të përmbushen në muajt në vijim të këtij viti”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.