Meta-Pahor: Sllovenia, partnere e fuqishme rajonale dhe mbështetëse e Shqipërisë në BE

TIRANË, 6 maj /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në konferencën e përbashkët për mediet me presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, Meta u shpreh se “Sllovenia do të organizojë ditët e ardhshme samitin e Brdo-Brijunit, i cili përkon me 10-vjetorin e kësaj nisme mjaft të rëndësishme. Por Sllovenia do të marrë dhe Presidencën e BE-së në 1 korrik të këtij viti, ndaj dhe bisedat tona u fokusuan në këto dy ngjarje të rëndësishme, natyrisht dhe në procesin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve tona mike”.

“Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor konfirmoi edhe një herë sot nga Tirana, se mbetet një avokat i paepur i integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe njëkohësisht mbështetës i vendosur i integrimit europian të Shqipërisë.
E falenderoj Presidentin Pahor dhe Slloveninë dhe shpreh mirënjohjen për këtë kontribut të vyer, nxitës e motivues për vijimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara”, u shpreh Meta.

“Marrëdhëniet midis vendeve tona janë të shkëlqyera dhe Sllovenia mbetet një partnere e fuqishme rajonale, por edhe në Bashkimin Europian për ne”, vijoi Meta.

Po ashtu, Meta falënderoi presidenti Pahor dhe Slloveninë për kontribute të vyera si nxitës dhe motivues për vijimin e reformave të kërkuara dhe përmbushjen e standardeve nga Shqipëria e njëkohësisht dhe mbajtjes së premtimeve nga BE.

“E sigurova presidentin e Sllovenisë për mbështetjen tonë në kuadër të samitit të ardhshëm të liderëve në procesin e Brdo-Brijunit, gjatë të cilit Sllovenia do të shprehë dhe më shumë angazhim dhe vëmendje ndaj bashkëpunimit ekonomik dhe politik dhe reformave integruese të vendeve të rajonit tonë për të përshpejtuar integrimin e tyre në BE”, tha Meta.

Në fjalën e tij, presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor tha bisedoi me presidentin meta, mbi rrethanat në Ballkanin Perëndimor, të cilave do t’i kushtohet konferenca e Brdo-Brijunit me 17 maj të këtij viti.

“Mendoj se takimi i 17 majit ku kanë pohuar prezencën të gjithë udhëheqësit, do të jetë më i rëndësishmi në 10 vitet e fundit për shkak të ngecjes në procese të shteteve kandidate dhe të vullnetit politik tek shtetet e BE-së në anën tjetër”, tha Pahor.

“Mendoj se zgjerimi i BE-së në Ballkan është jo vetëm gjeopolitik por i pazëvendësueshëm për paqe, qetësi dhe stabilitet të rajonit dhe gjithë Europës”, theksoi ai

“Me këtë qasje do të zvogëlohet rëndësia e debatimit për ndryshimin e kufijve në Ballkan, që sipas mendimit tim ky proces nuk mund të përfundojë në mënyrë të paqtë. Me anëtarësimin në BE, kufijtë bëhen më pak të rëndësishëm dhe nuk ka nevojë për ndryshimin e tyre. Dimë nga përvoja se ndryshimi e kufijve në këtë pjesë të Europës nuk zhvillohet pa flijime. Besoj se kemi ne udhëheqësit e Europës dhe krejt të Bashkimit Europian këtë obligim moral dhe politik që në këtë kohë që nuk është e thjeshtë jo vetëm për shkak të COVID-19, por dhe të problemeve të brendshme të BE-së por dhe të Ballkanit, në mjedisin tonë europian dhe ndërkombëtar që sot në këtë kohë të komplikuar të japim një ide të re, se si të zhvillohet më shpejt dhe me entuziazëm tek udhëheqësit dhe banorët e BE-së dhe udhëheqësit dhe banorët e Ballkanit”, tha Pahor.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.