Kultivimi për prodhim vere/ Ligji i ri për vreshtarinë kalon për diskutim në Kuvend

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka përgatitur pr.ligjin e ri për vreshtarinë, si dhe për ndërtimin e Kadastrës së Vreshtave, i cili ka kaluar për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë.
Vreshtaria dhe prodhimi i verës janë veprimtari ekonomike të rëndësishme për vendin tonë. Ligj i ri synon formalizimin e sektorit si dhe kontroll më të mirë të tij sa i takon sigurisë ushqimore.
Investime të përbashkëta të sektorit privat me mbështetjen e qeverisë po japin frytet e veta. Sot, në vendin tonë janë 11 mijë hektarë vreshta. Ndërkohë që po dixhitalizohet tërësisht Kadastra e Vreshtave.
Ligji i ri i vreshtarisë është duke u përshtatur sipas legjislacionit të Bashkimit Europian, si dhe synon krijimin e një baze ligjore për kultivimin e vreshtave për prodhim vere, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, kontrollin e produkteve të verës në Shqipëri, sipas kërkesave dhe standardeve të tregut ndërkombëtar.
Sa i përket Kadastrës së Vreshtave, deri më tani ka përfunduar regjistrimi për 28 556 njësi vreshti me një sipërfaqe prej 7230 hektarë dhe 45 fabrika të prodhimit të verës në shkallë vendi. Prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, është rreth 190 mijë tonë rrush.
Ndërkohë që ushtrojnë aktivitetin 61 kantina të prodhimit të verës e rakisë. Vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra, që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendimente të larta. Përmes Skemës Kombëtare të këtij viti Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po rimburson TVSH-në për fermerët që rinovojnë plastmasin e serrave.
Gjatë viteve të fundit vetëm nga skemat kombëtare kanë përfituar mbi 200 aplikantë me vlerë të financuar afërsisht mbi 49 milionë lekë.
/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.