Kryeprokurori Çela kërkon hetim për shkelje në detyrë nga prokurorja Armarda Xhaferri

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryeprokurori Olsian Çela i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Armarda Xhaferri në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se, pas informacioneve të marra për zvarritje të veprimeve procedurale në hetimin e procedimeve penale nga ana e prokurores, Sektori i Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka vijuar me ndjekjen dhe monitorimin e rastit, duke konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Xhaferri në lidhje me funksionin e saj si magjistrate.

“Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, në datën 05.05.2021 i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Armarda Xhaferri në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan”, njofton Prokuroria.

Pas informacioneve të marra për zvarritje të veprimeve procedurale në hetimin e procedimeve penale nga ana e prokurores, Sektori i Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka vijuar me ndjekjen dhe monitorimin e rastit, duke konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Xhaferri në lidhje me funksionin e saj si magjistrat sipas nenit 102 pika 1 germa “e” të ligjit 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

“Prokurori i Përgjithshëm mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë në mirëfunksionimin e shërbimit të prokurorisë në të gjitha nivelet, duke synuar rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve prokurorë gjatë ushtrimit të detyrës dhe zhdukjen e kulturës së pandëshkueshmërisë brenda institucioneve të drejtësisë”, përfundon njoftimi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.