Kryenegociatori Mazi: Po punohet fort për konferencën e parë ndërqeveritare me BE brenda këtij 6-mujori

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryenegociatori Zef Mazi tha sot se “jemi para vendimeve shumë të rëndësishme të Unionit, ku ndër të tjera është edhe Konferenca e parë Ndërqeveritare. Po punohet fort si nga Shqipëria dhe vendet e BE-së që të mbyllet me pozitivitet mundësisht brenda këtij 6-mujori të Presidencës portugeze”.

Në një konferencë për shtyp me ministren e Austrisë për Europën dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Mazi tha se “me ministren diskutuam shumë edhe për reformën paketë në sistemin e drejtësisë”.

“I përcillini qeverisë suaj dhe kolegëve në Këshillin Europian vendosmërinë e Shqipërisë të vijojë e pandalshme me të njëjtin hap në rrugën e reformave”, iu drejtua Mazi ministres austriake.

Ndërsa ministrja Spiropali tha se “Republika e Austrisë dhe posaçërisht ministrja është mbështetëse madhe e këtij procesi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për gjithë Ballkanin Perëndimor. Austria ka luajtur një rol kyç si një njohëse shumë e mirë e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë, por edhe njohëse e thellë e reformave dhe proceseve që kanë ndodhur këtu”.

“Është inkurajuese është e dyta vizitë e ministres brenda pak kohësh edhe në kohë të vështira si këto të pandemisë që po i lëmë pas. Kjo mbështetje, kjo  punë e madhe , ky koordinim që është bërë do të sjellë një rezultat pozitiv për Shqipërinë në vendimin e majit dhe qershorit. Brenda këtij viti jo vetëm korniza negociuese që nga Shqipëria është kryer si detyrë, por edhe vendimi i BE-së për kredibilitetin e institucioneve dhe të marrëdhënieve besoj do shkojë në vend dhe besoj se Shqipëria do të marrë vendimin e merituar”, – nënvizoi Spiropali.

Ministrja Spiropali u shpreh se “folëm edhe për reformat e kaluara në parlament sepse është ministrja përgjegjëse për Parlamentin dhe Kushtetutën, për punën që kemi bërë për ligjet e reformës në drejtësi, për faktin që të gjitha institucionet e qeverisjes së drejtësisë së re janë funksionale, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, dhe puna e madhe që ëhstë bërë me Vetingun dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë nga korrupsioni që vlerësohet posaçërisht nga ministrja dhe Republika e Austrisë”. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.