Kredia për sektorin privat u rrit me 7.5 % në tremujorin e parë 2021

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kredia për sektorin privat njohu një rritje mesatare vjetore prej 7.5 % në tremujorin e parë 2021 bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, kjo rritje shfaqi një bazë të gjerë, e nxitur nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve. Në këtë kontekst, vlen të theksohet se rritja e kredive për qëllime investimi është një zhvillim inkurajues për rritjen ekonomike në të ardhmen.

Po ashtu, vëren BSH-ja, zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë, tregues ky i cili shënoi vlerën 52% ndaj totalit në muajin mars, jep sinjale pozitive në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare dhe të qëndrueshmërisë financiare.

“Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim. Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”, thuhet në njoftimin e BSH-së. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.