Këlliçi: SPAK heshti për kallëzimet e PD-së për skemën e blerjes së votave në qarkun e Durrësit

TIRANË, 6 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i FRPD-së Belind Këlliçi deklaroi sot se skema kriminale e blerjes së votës nga aleanca Rama-Doshi-Rakipi ka qenë kapilare, në të gjithë vendin.

“Qarku i Durrësit, ku kandidonte vetë Edi Rama, përbën modelin kryesor të skemës së blerjes së votave përmes njerëzve kyç në administratën shtetërore dhe krimit të organizuar. 3 javë para ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të gjithë personat kryesorë të përfshirë në skemën e blerjes së votave, ku në krye qëndron drejtori i Operatorit të Shpërndarjes Ardian Çela dhe deputetët Lefter Koka, Jurgis Çyrbja, Rrahman Rraja dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi. Kundër këtyre dhe një ushtrie nëpunësish që shpërndanin para dhe favore të tjera, që mblidhnin kartat e identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve të opozitës, Partia Demokratike ka bërë 3 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, duke nisur me kallëzimin e parë në 2 prill.  Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave”, tha Këlliçi.

Sipas tij, “Ardian Çela qendron në krye të skemës kriminale për blerjen e votave, duke siguruar para për personat e tjerë që kanë në patronazh blerjen e banorëve në zona të ndryshme të Durrësit, ndërsa vetë është përgjegjës për Rrashbullin”.

Po ashtu, Këlliçi tha se SPAK është vënë në dijeni të skemës kriminale që në 2 prill, por nuk bëri asgjë. “SPAK heshti edhe kur Partia Demokratike dorëzoi kallëzimin e dytë në 14 prill. Kjo strukturë e re e drejtësisë, që ka për detyrë të hetojë e të çojë para drejtësisë ata që manipuluan rezultatin zgjedhor heshti edhe pas kallëzimit të tretë për të njëjtën bandë që blinte vota në të gjithë qarkun e Durrësit për të nxjerrë Edi Ramën deputet dhe për ta mbajtur atë në pushtet”, theksoi kreu i FRPD-së. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.