FOTO-“Lule për libra”/ Nisma e fëmijëve lezhjanë për të pasuruar bibliotekën e shkollës

TIRANË, 6 maj/ATSH/ “Ju blini lule, ne blejmë libra”… Kjo ishte nisma më e fundit e nxënësve të shkollës “Besëlidhja” në Lezhë, të cilët organizuan një panair lulesh, fitimet e të cilit do të përdoren për blerje librash.

Nxënësit e klasës së katërt të kësaj shkolle prej disa muajsh kanë mbjellë lule e janë kujdesur për to, ndërsa lekët e fituara nga shitja e tyre do të shkojnë për të blerë libra që të pasurojnë bibliotekën e shkollës.

Të entuziazmuar për nismën ata tregojnë se janë përkujdesur me shumë dashuri për lulet dhe se janë tepër të lumtur që do të arrijnë të kenë të ardhura për të blerë libra për bibliotekën e shkollës.

Për të tërhequr vëmendjen e blerësve fëmijët luajtën edhe muzikë.

“Jemi marrë shumë ditë, shumë muaj me lulet, sepse duam të blejmë libra për bibliotekën e shkollës”, tha Melisa.

Ndërsa për Asian, një tjetër nxënëse e kësaj shkolle, librat janë shumë të rëndësishëm, ndaj dhe zgjodhën këtë nismë për të pasuruar bibliotekën e shkollës, e cila u mbështet nga mësuesja e tyre.

Lulëzime Celami, mësuesja që ideoi këtë iniciativë së bashku me nxënësit e saj, thotë se “edukimi për punë, kujdesi ndaj mjedisit dhe ambientit si dhe rritja e interesit për librin ishin arsyet e kësaj pune kaq të gjatë që po korr edhe frytet”.

Panairi i luleve tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët u bënë pjesë e blerjeve, duke ju sjellë mjaft gëzim e lumturi këtyre nxënësve.

Në fund të panairit, u shitën thuajse të gjitha lulet, ndërsa të ardhurat do të shkojnë për pasurimin e bibliotekës së shkollës së tyre.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.