COVID-19 – Putin në favor të heqjes së patentave për vaksinat

MOSKË, 6 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh sot, në vazhdën e deklaratës së SHBA-së, në favor të heqjes së patentave për vaksinat antiCOVID-19 në mënyrë që të përshpejtohet prodhimi i tyre dhe shpërndarja globale.

Këto deklarata vijnë menjëherë pasi Rusia njoftoi miratimin e një varianti “të lehtë” të produktit të saj kryesor kundër kësaj sëmundje, Sputnik V, që administrohet me një dozë të vetme në vend.

Pasi përshëndeti miratimin e vaksinës së fundit ruse, Putin tha se Rusia “do të mbështesë heqjen e patentave për vaksinat kundër koronavirusit” dhe i kërkoi qeverisë të punojë në të.

“Në kushtet aktuale, siç e kam thënë shumë herë tashmë, nuk duhet të mendojmë se si të marrim përfitimin maksimal, por se si të garantojmë sigurinë e njerëzve”, theksoi ai gjatë një takimi të transmetuar në televizion.

Putin ka ndjekur kështu shembullin e SHBA-së, që njoftoi dje se ishte në favor të këtij opsioni.

Bashkimi Europian siguroi sot se është “gati për të diskutuar” këtë temë në samitin e 27 vendeve të saj anëtare në Porto të premten, ndërsa është skeptik në lidhje me efikasitetin e një mase të tillë për të përshpejtuar vaksinimin global.

Deri më tani, BE ka qenë kundër kësaj ideje./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.