BRUKSEL – BE: Izraeli të ndalë ndërtimin e vendbanimeve të reja në Territoret Palestineze

BRUKSEL, 6 maj /ATSH-AA/ – Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Izraelit që të heqë dorë nga vendimi për të ndërtuar vendbanime të reja në territoret palestineze të pushtuara. 

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell bëri një deklaratë lidhur me zgjerimin e vendbanimeve nga Izraeli dhe lidhur me situatën në Jeruzalemin Lindor.

Në deklaratë rikujtohet qëndrimi i fundit i autoriteteve izraelite për të ndërtuar 540 banesa të reja në Har Homa ndërsa theksohet se këto plane dhe vendosja në zbatim i vendbanimeve në Givat Hamatos do të ndërpresin lidhjen mes Jeruzalemit Lindor dhe Betlehemit, gjithashtu do të minojnë edhe negociatat për zgjidhjen me dy shtete.

Më tej thuhet se sipas ligjit ndërkombëtar të gjitha vendbanimet që ndodhen në territoret palestineze nën okupim janë të paligjshme dhe se BE-ja nuk do të njohë ndryshimet që do të bëhen pa një marrëveshje për kufijtë e vitit 1967 përfshirë Jeruzalemin.

“BE-ja përsërit thirrjen e saj për qeverinë izraelite që të ndalë ndërtimet e vendbanimeve dhe të kthejë menjëherë vendimet e saj të fundit”, thuhet në deklaratë.

“Shembja e ndërtesave të palestinezëve në Jeruzalemin Lindor, rritja e ngjarjeve për të nxjerrë palestinezët nga shtëpitë e tyre dhe shembjet e reja të mundshme, janë shqetësuese” thuhet në deklaratë.

“Veprime të tilla të njëanshme janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe nuk shërbejnë për asgjë tjetër veçse rrisin tensionet. Autoritetet izraelite duhet t’u japin fund këtyre aktiviteteve, të japin lejet e përshtatshme për ndërtime ligjore dhe për zhvillimin e komuniteteve palestineze”, theksoi Borrel./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.