Bora Muzhaqi emërohet zv.ministre e Arsimit, Dallëndyshe Bici zv.ministre e Mbrojtjes

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Bora Muzhaqi është zëvendësministrja e re e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa Dallëndyshe Bici zëvendësministre e Mbrojtjes.

Vendimi për emërimin e dy zëvendësministreve u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.
Gjatë ditës së sotme ministrja e MASR, Evis Kushi, prezantoi në ministri zv.ministren e re Muzhaqi, e cila do të ndjekë nga afër çështjet e rinisë.
“Duke falënderuar Aspasjana Kongon për angazhimin e saj të deritanishëm në MASR dhe kontributin në projekte dhe iniciativa konkrete, i uruam mirëseardhjen dhe shumë suksese zëvendësministres së re Bora Muzhaqi, e cila do të ndjekë nga afër çështjet e rinisë”, – theksoi Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “kam besim që me energjinë dhe pasionin e saj për të punuar në favor të të rinjve, do të avancojmë akoma më shumë programe e projekte të frytshme së bashku”.
Bora Muzhaqi kandidoi si deputete në listat e Partisë Socialiste, e 31-ta në Tiranë.
Dallëndyshe Bici ka mbajtur postin e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ndërsa garoi për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit, në listën për deputete të PS-së.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.