Varhelyi: Pa Kuvend të plotë, nuk është e mundur të ecet përpara në rrugëtimin drejt BE

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi deklaroi sot se pas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve Kuvendi i Shqipërisë të fillojë nga puna shumë shpejt për reformat e Bashkimit Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku mbërritën edhe dozat e para të vaksinave Pfizer të akorduara nga BE, Varhelyi tha se sa i përket rezultateve të zgjedhjeve e kam ndjekur nga afër gjithçka që po ndodh, edhe mediet, por edhe çfarë ka thënë OSBE-ODIHR”.

“Mendoj se pas një fushate zgjedhore mjaft të zjarrtë me debate të zjarrta gjëja që na nevojitet tani janë rezultate të qarta, përfundimtare. Më është thënë që ka filluar periudha e apelimit kështu që ne duam të shikojmë të gjitha parregullsitë qoftë edhe blerjen e mundshme të votave, që të ndiqet nga të gjitha autoritetet gjyqësore. Por, pas këtij procesi na duhen rezultate përfundimtare dhe pas këtyre rezultateve përfundimtare do të na duhet që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë nga puna e vet shumë shpejt për reformat e BE-së”, – nënvizoi Varhelyi.

Komisioneri Varhelyi theksoi se “pa një Kuvend të plotë nuk është e mundur të ecet përpara në rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Europian, ka ende mjaft punë për të bërë”.

Duke folur për punën e ambasadorit të BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, Komisioneri Varhelyi tha se, “ne kemi një ambasador shumë të mirë në Shqipëri dhe jam shumë krenar që kam mundësinë të punoj me të. Sigurisht që unë e ndjek të gjithë punën e tij dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe për procesin e zgjedhjeve dhe jam shumë i kënaqur me punën që ambasadori i BE-së Soreca po bën në Shqipëri”.

I pyetur nëse do vazhdojë Shqipëria të mbetet peng i Maqedonisë së Veriut dhe nëse do të jetë gjithmonë fati i këtyre vendeve i lidhur për procesin e integrimit, Varhelyi tha se “kjo është edhe më shumë e vërtetë në rast se do të ishte një marrëveshje për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë në qershor”.

“Në rast se do të ndodhë kjo gjë puna jo vetëm që do të duhet të vazhdojë, por duhet të përshpejtohet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Kuvendi i ri i Shqipërisë. Ne duhet të tregojmë me punën tonë që japim rezultate, duhet të shikojmë këto rezultate, po presim rezultatin e procesit të apelimit  dhe shpresojmë që Shqipëria të ecë përpara dhe të punojë plotësisht për anëtarësimin në BE”, – tha Komisioneri Varhelyi.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.