Ulja e numrit të infektimeve/ Shqipëria del nga zona e kuqe në hartën botërore të COVID-19

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Shqipëria ka dal nga zona e kuqe e hartës botërore të COVID-19 për shkak të uljes së numrit të infektimeve gjatë ditëve të fundit.

Në hartën botërore të COVID-19 të publikuar nga “New York Times” ku jepen të dhënat në kohë reale të përhapjes së infeksionet në botë, Shqipëria është e ngjyrosur me të verdhë, çka tregon se infektimet janë në rënie.

Shqipëria duket të ketë një situatë të qëndrueshme të Covid-it sa i përket infektimeve duke lënë pas Francën, Turqinë e mjaft vende të tjera, të cilat në hartë janë akoma zonë e kuqe çka tregon se infektimet janë akoma shumë të larta.

Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në uljen e infektimeve nga COVID është procesi i vaksinimit masiv, i cili prej disa muajsh po vijon me ritme të shpejta në çdo qytet të vendit tonë.

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer në total 556,584 vaksinime, ndërsa vijojnë të mbërrijnë edhe doza të tjera vaksinash.

Ditën e djeshme mbërritën në aeroportin e Rinasit 11.700 doza të vaksinës “Pfizer”, nga këto 7020 doza nga kontrata me kompaninë “Pfizer” dhe 4680 nga BE.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.