Skema Kombëtare/ Rama ndan dëshminë e fermerit nga Kukësi: Shqipëria e kësaj dekade kampione e Ballkanit në bujqësi

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “mbështetja jonë për fermerët nuk është ndalur asnjë ditë përmes Skemës Kombëtare nga AZHBR-së”.
Rama ndau dëshminë e Veli Shehut nga Kukësi, i cili rrëfen me krenari se mbarështimi i qengjave dhe rritja e të imtave është puna dhe burimi i të ardhurave të familjes së tij.
“Me fermerë të tillë kudo ne do të ecim më tej bashkarisht dhe do ta bëjmë Shqipërinë e kësaj dekade kampione të Ballkanit në bujqësi”, tha Rama.
“Këtë punë nuk e kam me t’bleme po e kam me t’leme”, rrëfen Veliu me krenari trashëgiminë e tij familjare, fermën blegtorale, e cila sot është puna dhe burimi kryesor i të ardhurave.
Mbarështimi i qrngjave dhe rritja e të imtave është rutina e ditës së fermerit nga fshati Bardhoc i Kukësit, i cili ka rreth 300 krerë dele në fermën e tij.
Veliu Shahu është mbështetur nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural nëpërmjet Skemës Kombëtare dhe thotë se kjo mbështetje ka qenë një shtysë për të vijuar akoma më shumë angazhimin e tij në këtë sektor.
“Me mbështetjen e AZHBR unë kam rritur numrin e deleve dhe tani merrem edhe me përpunimin e djathit, nga qumështi i deleve të fermës time”, shprehet Veliu.
Veli Shehu nga Kukësi është përfitues i mbështetjes nga Skema Kombëtare, në kuadër të Masës 1 mbi mbarështimin e tufës bazë.
/m.m/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.