Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, ndalohet 35-vjeçari në Kakavijë

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestuan një 35-vjeçar për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Sipas policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 35 vjeç, banues në Gjirokastër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. B., 28 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në aksin rrugor Sofratikë-Libohovë, po transportonin me automjetin tip “Audi A3”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim./k.s/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.