Ndërron jetë aktori Guljelm Radoja, nuk e fitoi betejën me COVID-19

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ndërroi jetë aktori Guljelm Radoja në moshën 75-vjeçare, pasi prej javësh ishte prekur nga COVID-19. Burime nga familja e aktorit, thanë për median se ai ishte në intubim në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet që prej dy ditësh, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Guljelm Radoja lindi në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, filloi punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.

Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gurabardhit në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.