Kreditimi/ Bankat dhanë 50 % më shumë në 6-mujorin e dytë të 2020, krahasuar me 6-mujorin e parë

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kredia e re e dhënë nga bankat gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020 ishte rreth 150 miliardë lekë. Ky fluks ishte rreth 50 % më i madh në krahasim me kredinë e re të dhënë gjatë gjysmës së parë të vitit dhe rreth 12 % më shumë sesa kredia e re e raportuar gjatë gjysmës së dytë të një viti më parë.

Rritja e fluksit është vërejtur si në kredinë e re në lek, ashtu edhe në kredinë e re në euro. Kontributin kryesor në rritjen e fluksit të kredisë së re e ka dhënë sektori i bizneseve, i cili ka tërhequr një fluks rreth 44 % më të madh në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit. Gjatë gjysmës së dytë të vitit, bizneset kanë marrë më shumë kredi të re për investime në pasuri  të  paluajtshme, kryesisht tregtare, dhe kredi të re në formën “overdraft”.

Sipas BSH-së, kjo e fundit vijon të mbajë peshën kryesore në kredinë e re për bizneset (rreth 40 %) dhe kërkesa më e lartë për këtë lloj kredie gjatë gjysmës së dytë të vitit, lidhet me nevojën afatshkurtër të bizneseve për të financuar rimëkëmbjen e aktivitetit të ndërprerë gjatë muajve mars-maj.

Kredia e re e akorduar për individët ishte 50 % më shumë sesa ajo e dhënë gjatë gjysmës së parë të vitit.

Ky zhvillim është ndikuar nga rritja e fluksit të kredisë për blerje banesash dhe asaj për konsum të mallrave të qëndrueshme. Kredia e re për blerje banesash zë peshën kryesore të kredisë së re dhënë individëve (47 %).

Rreth 70 % e kredisë së re për individët ishte kredi në monedhën vendase. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.