Komiteti Teknik i Ekspertëve: Hiqet karantina për hyrjet nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, hapen auditorët e universiteteve për konsultime dhe provime

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot heqjen e masës së karantinës 14-ditore me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, ndërsa me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë do të lejohet hapja e auditoreve të universiteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonit të provimeve.

Në konferencën për shtyp të Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi se “në mbledhjen e sotme Komiteti Teknik i Ekspertëve ka rivlerësuar masat e marra disa javë më parë, ka bërë një vlerësim  të situatës në dy vendet fqinje në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi ku në dy javët e fundit ka edhe një tendencë e uljes së infektimeve. Gjithashtu duke qenë se kaloi periudha e festimit të Pashkëve ku dhe risku i lëvizjes së shtuar të qytetarëve ishte më i madh, ka vendosur heqjen e masës së karantinës 14-ditore me këto dy vende”.

“Në vijim po të situatës epidemiologjike me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të lejohet hapja e auditoreve të universiteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonin e provimeve sipas një kalendari të miratuar nga MASR dhe universitetet duke garantuar një plan të konsultimeve dhe duke siguruar zbatimin rigoroz të protokolleve shëndetësore”, – tha Manastirliu.

Sipas saj do të vijojnë të mbeten rregullat e tjera sa i përket ndalimit të grumbullimeve dhe orari i kufizimit të lëvizjes që do të mbetet ora 22:00 deri në 6:00 të mëngjesit.

“Situata do të vijojë të monitorohet në dinamikë do të ketë një vlerësim periodik të masave bazuar në indikatorët epidemiologjikë ashtu sikurse është vepruar deri më sot. Një gjë është e sigurtë bota ende nuk ka dalë nga kjo pandemi dhe nuk ia kemi dalë ende as ne, por drita në fund të tunelit sa vjen dhe po zmadhohet”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se ne jemi të bindur se falë fushatës së vaksinimit, të cilës po ia dalim me një sukses të plotë dhe situatës së kontrolluar që ka ardhur si pasojë e gjithë masave të shënjestruara të cilat janë marrë dhe mbi të gjithë falë gjithë bashkëpunimit me qytetarët do t’ia dalim më herët se vonë për ta mposhtur këtë armik të padukshëm”.

“Ftoj qytetarët të tregohen të kujdesshëm, ndërkohë që ne ecim me planin e vaksinimit masiv dhe planin tonë të vaksinimit të kombinuar të respektojmë të gjitha protokollet, masat e distancës, higjienës për të siguruar atë që kemi bërë deri më sot vijimin e kontrollit të epidemisë COVID-19 në vend”, – tha Manastirliu. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.