Komisioni i Ligjeve nis procedurën e shkarkimit të Presidentit/ Hysi: Ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës

TIRANË, 5 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka nisur sot mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së 50 deputetëve për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës.

Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja sipas procedurës dhe rregullores, ia dha  fjalën në emër të nismëtarëve që kanë propozuar nismën, Vasilika Hysit e cila prezantoi kërkesën e 49 deputetëve në zbatim të nenit 112 të rregullores së Kuvendit.

Manja tha se do të ketë një seancë ku do të dëgjohet Presidenti në Komisionin e Ligjeve.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi se baza ligjore e kërkesës është neni 90/2 i Kushtetutës dhe neni 112 i rregullores së Kuvendit.

“Neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës thekson se Presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë dhe në këtë raste propozimi për shkarkim mund të bëhet nga jo më pakë se ¼ e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se 2/3 e anëtarëve të Kuvendit. Njëkohësisht në nenin 130 të rregullores së Kuvendit theksohet procedura që duhet të ndiqet nga ana e Komisionit të Ligjeve”, tha ajo.

Hysi paraqiti disa momente me rëndësi në kërkesën për shkarkim.

“E para nevoja për të rivendosur ligjshmërinë në institucionin e Presidentit, besueshmërinë e gjithë popullit shqiptar te Kreu i Shtetit, i cili duhet të jetë përfaqësues i unitetit të popullit. Para fushatës zgjedhore dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit 2021 nismëtarët mendojnë se Presidenti ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën, ka sulmuar besimin e qytetarëve te roli që ka Presidenti dhe nuk ka ushtruar detyra e tij kushtetuese, por ka ushtruar detyra që nuk parashikohen në Kushtetutë”, theksoi Hysi.

Ajo shtoi se Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe Presidenti ka rolin e simbolit të unitetit të kombit.

“Presidenti është simboli i kombit dhe nuk duhet të shkaktojë konflikte apo të përçajë dhe të dëmtojë unitetin kombëtar. Në këtë kuadër detyrat e Presidenti janë të mirëpërcaktuara në Kushtetutë. Presidentit nuk i lejohet të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njeh Kushtetuta në nenin 92. Është kjo arsyeja që në nenin 94 të Kushtetutës është sanksionuar që Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen me Kushtetutë, ose atyre që i jepen me ligj”, theksoi ajo.

“Në këtë kuadër deputetë kanë shprehur keqardhjen dhe kanë vënë re se që nga momenti i marrjes së detyrës Presidenti i ka cenuar qoftë nenin 92 dhe nenin 94 të Kushtetutës. Në mënyrë të përsëritur disa herë ka kryer akte dhe sjellje të  cilat në vlerësimin e deputetëve që kanë firmosur kërkesën përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Këto sjellje kanë shkaktuar ndasi sociale dhe politike, nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit shqiptar por kanë sjellë përçarje, sepse Presidenti ka mbajtur anën e një force apo grupimi politik”, tha Hysi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.