Komisioneri Publik ankimon në KPA vendimin e KPK-së për Iliba Bezati, gjyqtare e Apelit Vlorë

TIRANË, 5 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Iliba Bezati, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit  të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.