Kategoria Superiore U-17/ Shënkolli dhe Akademia e Futbollit, ekipet kampione në grupe

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kategoria Superiore e moshës U-17 po i afrohet finales së sezonit, pasi këtë javë janë shpallur edhe ekipet kampione të dy grupeve, ku marrin pjesë 20 skuadra.

Në Grupin A, skuadra e Shënkollit u shpall kampione e kampionatit të moshës U-17, duke e mbyllur sezonin e rregullt me 39 pikë të mbledhura në 27 javë. Pavarësisht se u mund nga Partizani 2-1 në javën e fundit në ndeshjen e luajtur në fushën sportive të Yrshekut, ekipi lezhjan mundi të ruajë kreun e këtij grupi.

Në ceremoninë e zhvilluar në përfundim të ndeshjes, shefi i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani i dorëzoi trofeun lojtarëve të Shënkollit.

Akademia e Futbollit ia doli të marrw vendin e parë të Grupit B në javën e fundit me 36 pikë të grumbulluara në 27 javë. Skuadra kryeqytetase triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Flamurtarit në transfertën e Vlorës dhe përfitoi nga hapat fals të kundërshtarëve në një finale sezonit emocionuese.

Në fundjavë do të nisë edhe faza play-off e Kategorisë Superiore U-17, që do të përcaktojë ekipin kampion të Shqipërisë në këtë grup-moshë. Në këtë fazë do të marrin pjesë 8 ekipet e renditura në 4 vendet e para të dy grupeve. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.