INDI – 6,7 miliardë dollarë kredi për vaksinat antiCOVID-19 dhe sektorin shëndetësor

BOMBEI, 5 maj /ATSH-AFP/ – Banka Qendrore e Indisë njoftoi sot se 6,7 miliardë dollarë financime do të zhbllokohen për prodhuesit e vaksinave, spitalet dhe kompanitë e sektorit shëndetësor për të ndihmuar në frenimin e valës së dytë të COVID-19 që po shkatërron vendin.

Guvernatori i “Reserve Bank of India” (RBI), Shaktikanta Das njoftoi se këto kredi do të jenë të disponueshme deri më 31 mars të vitit të ardhshëm dhe premtoi masa “jo konvencionale” nëse kriza do të përkeqësohet.

Guvernatori i Bankës Qendrore u shpreh ndërkohë që India numëron 3 780 të vdekur dhe 382 000 kontaminime të reja në 24 orë.

“Objektivi i menjëhershëm është mbrotja e jetëve të njerëzve dhe rivendosja e mjeteve thelbësore me të gjitha mjetet e mundshme”, shtoi Das.

Sidoqoftë, ai nuk rekomandoi kufizim në shkallë kombëtare ndërkohë që kufizime janë vendosuar tashmë në rajone të prekura rëndë nga virusi.

“Shpejtësia shkatërruese me të cilën virusi po prek rajone të ndryshme të vendit duhet të kompensohet nga veprime të shpejta dhe të gjera, të përcaktuara, të kalibruara dhe të programuara mirë”, theksoi Shaktikanta Das.

“Këto masa të reja kanë për qëllim të përmirësojnë aksesin në kujdesin shëndetësor urgjent gjatë pandemisë”, shtoi ai duke e bërë më të lehtë për bankat që të sigurojnë kredi të lira për spitalet, prodhuesit e oksigjenit dhe madje edhe për të sëmurët.

Sistemi shëndetësor indian, i shkatërruar dhe i pafinancuar, po lufton për të kapërcyer fluksin e pacientëve me COVID-19, disa humbin jetën në dyert e spitaleve, për mungesë të trajtimit dhe oksigjenit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.