FOKUS – Zbehen përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen BE-Kinë

BRUKSEL, 5 maj /ATSH-DPA/ – Një marrëveshje masive investimesh e përfunduar midis Bashkimit Europian dhe Kinës nuk do të ratifikohet së shpejti për shkak të përçarjeve në lidhjet diplomatike, delaroi Komisioni Europian.

Marrëveshja u përshëndet nga Brukseli dhe Pekini kur u arrit në fund të vitit të kaluar pas shtatë viteve negociata.

Por, për të hyrë në fuqi, ajo duhet të ratifikohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Europian.

Një zëdhënës i Komisionit Europian, dega ekzekutive e BE, theksoi se ”procesi i ratifikimit tani është bllokuar në mënyrë efektive pasi nuk mund të ndahet nga dinamika në zhvillim e marrëdhënies më të gjerë BE-Kinë”.

Marrëdhënia u përshkallëzua në muajin mars kur Pekini vendosi sanksione për 10 ligjvënës dhe studiues europianë, si dhe katër institucione evropiane, duke i akuzuar ata për përhapjen e “gënjeshtrave dhe dezinformatave” në lidhje me trajtimin e Kinës ndaj popullsisë së saj kryesisht myslimane ujgur.

Zëdhënësi i përshkroi sanksionet si “të papranueshme dhe të mjerueshme”.

Veprimi i Kinës ishte si përgjigje ndaj goditjes nga sanksionet e BE-së për abuzime ndaj popullsisë ujgure.

Ishte hera e parë që bllokada kishte lëshuar masa kufizuese në Pekin për shkeljet e të drejtave të njeriut që nga masakra e Sheshit Tiananmen në 1989.

Shanset për ratifikimin e marrëveshjes tregtare tani varen nga mënyra se si evoluon situata, tha zëdhënësi.

Marrëveshja do t’u ofronte kompanive evropiane akses në tregjet kineze të mbyllura ose të rregulluara më parë dhe lehtësonte investimet kineze në Europë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.