Dita e Dëshmorëve/ Përkujtohen punonjësit e Policisë të rënë në krye e për shkak të detyrës

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua sot në kuadër të Ditës së Dëshmorëve të Atdheut ceremonia përkujtimore në nderim të punonjësve të Policisë të rënë në krye e për shkak të detyrës.
Në ceremoni morën pjesë zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, familjarë të të rënëve, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit dhe kolegë të Dëshmorëve të Policisë.
Zv.ministrja e Brendshme Kuko, drejtori i përgjithshëm Veliu dhe familjarë të Dëshmorëve të Policisë kanë vendosur kurora me lule në Memorialin kushtuar Dëshmorëve të Policisë.
Kuko dhe Veliu gjatë fjalës së tyre kanë theksuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të dhënë nga Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare, për familjet e Dëshmorëve të Policisë.
Fjorida Pashaj, vajza e njërit prej Dëshmorëve të Policisë, aktualisht punonjëse policie, ka vlerësuar mbështetjen e drejtuesve të Policisë dhe të kolegëve dhe në emër të të gjithë fëmijëve të Dëshmorëve, që aktualisht janë pjesë e Policisë ka premtuar se me përkushtimin e tyre në detyrë do bëjnë krenarë baballarët e tyre dhe gjithë Policinë e Shtetit.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.