Denaj: Rritje të pagës minimale dhe mbështetje biznesit për dixhitalizim dhe trajnim

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se paga minimale në sektorin privat do të shkojë përgjatë mandatit të tretë në 40 mijë lekë.

Sipas saj, kjo nuk do të jetë një barrë për sipërmarrjen por do të ndodhë me parakushtin që të ndodhë rritja ekonomike.

“Ekonomia do të rritet në shumë dimensione dhe sektor. Vitin e kaluar e rritëm nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë dhe në 4 vitet e ardhshme do të shkojë 40 mijë me parakushtin që do ndodhë rritja ekonomike”, tha ajo.

Ministrja po ashtu bëri të ditur se në programin e Partisë Socialiste gjatë mandatit të tretë parashikohet edhe mbështetja e biznesit e kryesisht atij të manifakturës me fonde për dixhitalizimin dhe trajnimet.

“Në program ne kemi parashikuar një fond prej 50 milionë euro për financimin e subjekteve që do të investojnë në dixhitalizimin apo për trajnimet do të ketë një fond rimbursimi me 100 % të kostos”, u shpreh ajo.

Denaj u ndal edhe te investimet e huaja në vend ku u shpreh se investitorët e huaj kanë interes për të investuar në Shqipëri në sektorë strategjikë, si energji, infrastrukturë, porte aeroporte etj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.