Deklarata individuale vjetore e të ardhurave/Qeveria shtyn afatin deri më 30 qershor

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shtyrjen e afatit deri më 30 qershor për dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2020.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një interviste televizive.

Denaj tha se ky vendim erdhi pasi pati shqetësime nga ana e qytetarëve për paqartësi për mënyrën e deklarimit.

Afati i fundit ishte parashikuar 30 prilli, dhe pas kësaj date parashikoheshin penalizime, por ministrja Denaj tha se përmes një akti normativ është shtyrë afati dhe nuk ka penalizime për individët që nuk e kanë kryer këtë deklarim.

Duhet të plotësojnë DIVA 2020, individët rezidentë dhe jo rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër. Detyrimin për dorëzimin e DIVA e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.

Gjithashtu, duhet të deklarojnë DIVA 2020, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë, edhe individët rezidentë apo jo rezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 (një) punëdhënës.

Nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) kategoria “i vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “i vetëpunësuar” ka detyrim vetëm për pagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”.

Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.