“Defender Europe 2021″/ Peleshi: Shqipëria si vend aleat i NATO-s jo vetëm importon, por edhe eksporton siguri

TIRANË, 5 maj /ATSH/ “Stërvitja “Defender Europe 2021″, ka të bëjë me transportimin në det nga anijet drejt portit i të gjitha mjeteve, municioneve dhe makinerive. Pra është stimuluar zbarkimi në mungesën e një porti. Është kthyer vetë anija në një lloj platforme, në një lloj porti. Këtë e kemi vëzhguar nga afër dhe me anijet tona “Iliria””.

Kështu deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi gjatë një interviste televizive ku theksoi se, “këtë stërvitje e ka përshëndetur dhe vet Komandanti Suprem i aleatëve në NATO. Ai mbajti një fjalë shumë inkurajuese ku e ka cilësuar Shqipërinë si një vend aleat i NATO-s që jo vetëm importon, por edhe eksporton siguri. Ky ishte një kompliment dhe krenari e jashtëzakonshme për ne shqiptarët”.

I pyetur se Shqipëria nuk arrin të plotësoj kuotën që duhet të vihet në dispozicion  të Aleancës sipas statutit apo kritereve të Aleancës, Peleshi tha se, “ky obligim, apo siç quhet ndryshe obligimi për investime, është 2 % i GDP-së, sot ne jemi tek 1.5 %. Ne kemi dhe një buxhet afatmesëm të miratuar dhe sipas këtij buxheti të miratuar nga qeveria shqiptare rritja graduale për të arritur në 2024 siç edhe zotimi në 2 % të GDP-së. Nuk jemi nga vendet me ecuri jo të kënaqshme, jemi me një ecuri të kënaqshme dhe jemi angazhuar që do të arrijmë ta përmbushim këtë zotim”.

Duke u ndalur tek zgjedhjet e 25 prillit dhe tek mosnjohja e rezultatit nga PD Peleshi theksoi se, “gjithë retorika e PD nuk ka lidhje me atë që ata dinë se çfarë ka ndodhur në zgjedhje, por ka lidhje me problemet e tyre të brendshme, të pritshme kur një parti humbet për dy mandate me radhë, kryetari i partisë është në siklet e i duhet të shpikë alibi për ti siguruar vetes jetëgjatësi. Kështu është ajo si e lexoj unë. Ftesa e Kryeministrit është për t’u përshëndetur dhe e sinqertë, sepse ne vlerësojmë se vendi sot ka nevojë për të përmbyllur disa reformat të rëndësishme, siç është ajo në Drejtësi dhe ato ekonomike. Për këto nuk na nevojitet më një situatë konfliktuale politike, siç na karakterizuar në këto vite, por na duhet bashkëpunim”.

Për votat në qarkun e Korçës, Peleshi tha se, “PD pati një rritje, janë kryesisht votat e marra nga LSI, e cila u tkurr me 11 mijë në qarkun e Korçës dhe nuk arriti dot të nxjerrë një deputet. PS ka një diferencë me më pak se 2500 vota nga 2017 dhe në këto zgjedhje na kanë votuar më tepër se 3 mijë socialistë sesa 2017”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.