“Defender Europe 2021″/ Kim: Roli i Shqipërisë i rëndësishëm, hap i madh përpara

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim vlerësoi sot rolin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në stërvitjen “Defender Europe 2021” që po zhvillohet në disa shtete të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kim e ka cilësuar “Defender Europe 2021” një moment historik.

“Roli i Shqipërisë do të jetë i rëndësishëm me integrimin gjithëpërfshirës të ushtrisë shqiptare në stërvitje. Kjo shënon një hap të madh përpara për Shqipërinë dhe demonstron besimin që planifikuesit e stërvitjes kanë vendosur në ushtrinë e saj”, u shpreh Kim.

Më herët ambasadorja Kim publikoi edhe pamje nga stërvitja që po kryejnë forcat ushtarake amerikane në kuadër të “Defender Europe 21”.

“Shikoni se si anijet ushtarake pompojnë karburant nga anija në breg si pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21”. Kjo është hera e parë që ushtrohet ky aktivitet kompleks logjistik në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Është e mrekullueshme të shohësh aleatët dhe partnerët të forcojnë ndërveprimin mes tyre”, tha ambasadorja Kim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.