BULLGARI – Vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme

SOFJE, 5 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti bullgar, Roumen Radev njoftoi sot organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në korrik, në përpjekje për të dalë nga kriza politike, pas dështimeve të tre partive të ndryshme për të formuar një qeveri të re.

“Javën e ardhshme do të shpërndaj Parlamentin dhe do të vendos datën për zgjedhjet e reja, që do të mbahen më 11 korrik”, deklaroi kreu i shtetit.

Zgjedhjet legjislative të 4 prillit rezultuan me një parlament të përçarë.

GERB, partia konservatore e kryeministrit Bojko Borisov, doli në krye por ai akuzohet nga kundërshtarët e tij për nxitje të korrupsionit endemik në vend dhe nuk ka gjetur partnerë për të qeverisur.

ITN, partia populiste e këngëtarit dhe drejtuesit të televizionit Slavi Trifonov, i cili befasoi kur u klasifikua i dyti, nuk kishte vende të mjaftueshme me dy formacionet e tjera për të ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm.

Edhe socialistët që u renditën të tretët hoqën dorë.

Bullgaria, vendi më i varfër i BE-së, që numëron rreth shtatë milionë banorë, u përball verën e kaluar me një valë manifestimesh.

Borisov, në pushtet që prej pothuajse një dekade, refuzoi të jepte dorëheqjen./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.