Balla: Ne do ta çojmë deri në fund procesin e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta

TIRANË, 5 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se mazhoranca do ta çojë deri në fund procesin e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.

“Sot është dita e Dëshmorëve dhe nuk është dita të merremi me opozitën, por ajo që tha kryeministri është se gjatë këtij mandati të ri do kemi një qasje tjetër me opozitën dhe do të punojmë sa më shumë për punët e rëndësishme që na presin”, tha Balla.

Ai theksoi se “opozita ka rolin e saj të pazëvendësueshëm në shumë reforma të rëndësishme që duhet të çojmë përpara dhe kontributi i tyre në Kuvend është i mirëseardhur”.

I pyetur lidhur me nismën e shkarkimit të Presidentit, Balla u shpreh se ky proces do të shkojë deri në fund.

“Në ditën e Dëshmorëve do të doja të flisja më pak për Presidentin e Republikës megjithatë të jeni të sigurt se ne këtë proces do ta çojmë deri në fund”, tha Balla.

Për sa i përket hetimit të krimeve zgjedhore nga SPAK mbi denoncimet e bëra nga opozita, Balla deklaroi se mbështesin çdo hetim serioz.

“Çdo lloj kallëzimi i kryer në Prokurorinë Speciale Antikorrupsion apo në prokuroritë vendore duhet hetuar me shumë seriozitet dhe rezultatet duhen pritur nga të gjithë”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.