145 mijë doza të vaksinës “Pfizer” 100 % financim i BE për Shqipërinë/ Varhelyi: Për t’ju treguar që keni rëndësi për ne

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi deklaroi sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama në aeroportin e Rinasit, se BE sjell në Shqipëri 145 mijë doza të vaksinës “Pfizer”, që janë 100 % financim i BE.

“Është në fakt një ditë vërtetë e mrekulkueshme dita e sotme për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht që është e tillë edhe për Shqipërinë”, u shpreh Varhelyi.

“Jam vërtet, vërtet, shumë i kënaqur që kemi arritur në fundin e këtij procesi që më ka sjellë këtu me dorëzimin e vaksinave”, tha ai.

“Ne kemi punuar fort, kemi punuar shumë që kjo gjë të bëhej realitet, nuk ka qenë e lehtë, por mendoj se ne po vijmë këtu në momentin e duhur, në një moment kyç, në një moment kur ne duhet të fillojmë të dalim tashmë nga kjo pandemi. Dhe dalja nga pandemia është gjë e mirë vetëm në rast se ne promovojmë vaksinat dhe i arrijmë t’i kemi ato dhe prandaj kemi ardhur sot këtu për të sjellë vaksinat”, shtoi Komisioneri.

“Për ne është përparësi, është prioritet që fqinjët tanë të arrijnë të kenë vaksina, të bëhet vaksinimi dhe prandaj besoj që nuk është e nevojshme që të them që Ballkani Perëndimor është edhe dhe më shumë i rëndësishëm për këtë arsye. Ne shpresojmë që me këto vaksina ju do të siguroni jo vetëm sektorin e shëndetësisë dhe vaksinimin e tyre, por edhe të grupeve më të cenueshme”, theksoi Verhelyi.

“Pra, Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës ‘Pfizer’, të cilat jo vetëm që po i sjell këtu BE, por edhe janë tërësisht, 100 % të financuara nga BE. Këto janë dhurim, pra janë një donacion, janë një dhuratë për ju nga ana jonë, për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne, për t’ju treguar interesin tonë, dashamirësinë tonë”, tha Varhelyi.

Varhelyi u shpreh se, “ne nuk do të kishim mundur ta bënim këtë gjë pa miqtë tanë austriakë dhe qeverinë austriake, të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm pikërisht për këtë gjë”.

“Dëshiroj të falënderoj qeverinë astriake dhe kancelarin Kurz si dhe ministrin e Jashtëm, Schallenberg, të cilët kanë bërë të pamundurën gjatë gjithë kohës që kjo gjë të bëhej realitet. Pa koordinimin e tyre kjo gjë nuk do të ishte arritur. Dhe për këtë u jemi vërtet mirënjohës. Dhe mendoj që ky lloj bashkëpunimi tregon edhe vlerën e skuadrës europiane. Tregon se çfarë mund të sjellë dhe çfarë mund të arrijë Europa, BE në rast se bëhemi bashkë”.

“Ndoshta ju mbani mend që ne e kemi ndihmuar Shqipërinë që prej fillimit të kësaj pandemie, që prej marsit të vitit të shkuar. Ne jemi përpjekur që t’ju ndihmojmë me gjithçka që kishim mundësi. Dhe natyrisht edhe në momentet e duhura, çdo herë. Për shembull, me maska, me respiratorë, me pajisje mjekësore, me ambulanca, me njësi të reanimacionit, me përmirësimin e spitaleve, apo me ndihmë financiare ekonomike, apo me ndihmë makro-financiare për buxhetin e shtetit”, tha Varhelyi.

“Tashmë ne sot po sjellim dozat e para të vaksinës, sepse ky është momenti jo vetëm për të filluar vaksinimin, por edhe për ta fuqizuar atë më tej, sepse asnjë prej nesh nuk do jetë tërësisht i sigurt në rast se nuk vaksinohemi të gjithë. Dhe ne tregojmë që ne jemi të interesuar posaçërisht tek siguria shëndetësore dhe tek shëndeti i plotë i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Varhelyi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.