Titulli i lartë “Mjeshtër i Madh” për dy gjimnastët kampionë, vëllezërit Ferdinand dhe Arben Mara

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” dy gjimnastët kampionë, vëllezërit Ferdinand dhe Arben Mara, për kontributin e tyre të spikatur në zhvillimin cilësor të sportit të gjimnastikës dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura brenda e jashtë vendit.

“Kënaqësi të çmoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” dy gjimnastët kampionë, vëllezërit Ferdinand dhe Arben Mara, në mirënjohje për kontributin e tyre të spikatur në zhvillimin cilësor të sportit të gjimnastikës dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura brenda e jashtë vendit, që na kanë bërë krenarë të gjithëve”, u shpreh Meta në një reagim.

“Sukseset e tyre janë tashmë pjesë e trashëgimisë më të mirë sportive, duke merituar vlerësimin dhe respektin tonë të përhershëm”, tha Kreu i Shtetit.

“Përmes këtij vlerësimi, ne ndihmojmë dhe i nxisim fëmijët dhe rininë të largohen nga veset për t’i orientuar drejt vlerave më të mira sportive dhe modeleve frymëzuese të suksesit në karrierë dhe jetë”, theksoi Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.