Shtyrja e regjistrimit të pronarit përfitues deri më 30 qershor, lehtësi për biznesin

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për regjistrin e pronarit përfitues”, i cili parashikon zgjatjen e afatit të regjistrimit të pronarit përfitues deri më 30 qershor.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj, shpjegoi, se me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore të parashikuar në ligjin “Për regjistrin e pronarit përfitues”, si dhe për të realizuar një proces sa më eficient dhe gjithëpërfshirës, u konsiderua që afati i përmbushjes së këtij detyrimi deri më 31 mars nuk ishte i mjaftueshëm, ndaj dhe konsideruan arsyet e nevojshme për zgjatjen e afatit.

“Zgjatja e afatit në kuptim të instrumentit ligjor u bë me Akt Normativ për shkak të rrethanave proceduriale aktuale, për garantimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore duke konsideruar arsyet të cilat paraqiteshin në pretendimet e grupeve të interesit,” tha Denaj, duke shtuar, se kjo zgjatje i jep mundësinë biznesit që të plotësojnë këto detyrime brenda afatit të parashikuar në këtë Akt, si dhe i jep mundësi të bëhet pjesë e këtij procesi.

Në këto kushte, me ndryshimet e këtij projektakti normativ, lidhur me Regjistrin e Pronarëve Përfitues afati për përmbushjen e detyrimit ligjor nga subjektet raportuese zgjatet deri më 30.06.2021.

Me ndryshimet e këtij projektakti normativ, në përgjigje dhe të kërkesave të biznesit, është vlerësuar që në rastin e ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese, ky regjistrim të bëhet brenda 90 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.