“Rezultati i zgjedhjeve është legjitim”/ Balla: Procedura për shkarkimin e Presidentit ka hyrë në hullinë institucionale

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit se të gjithë duhet të njohin rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Shqipëria fitoi më 25 prill dhe kjo falë qytetarëve të këtij vendi, të cilët në mënyrë masive morën pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe që me votën e tyre të lirë, i dhanë mandatet e përfaqësimit atyre që garuan për të marrë besimin e tyre. Thirrja ime sot nga foltorja e Kuvendit ndaj të gjithë aktorëve pjesëmarrës në këto zgjedhje është që gjithsecili prej nesh ta lexojë me përgjegjësi votën e shqiptarëve”, theksoi Balla.

“Unë dua të nënvizoj atë që DASH tha për zgjedhjet e 25 prillit. Natyrshëm SHBA-të duan që të vazhdojnë partneritetin e ngushtë dhe strategjik me Kryeministrin Rama dhe me mazhorancën e rikonfirmuar në këto zgjedhje. Vlerësohet fushata e opozitës. Dhe ajo që është detyrë e të gjithëve është që rezultati i këtyre zgjedhjeve është legjitim. Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje është tërësisht legjitim. Dhe që është detyra e të gjithëve që t’i lëmë pas debatet e vjetra, por të punojmë të gjithë në funksion të një objektivi të përbashkët sikurse është rruga europiane e Shqipërisë”, tha Balla.

“Të mos harrojmë, që muajt, javët në vijim, janë javë tepër të rëndësishme e që lidhen tërësisht me suksesin e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë dhe që unë jam tejet i bindur që i kemi të gjitha shanset që brenda Presidencës portugeze Shqipëria ta mbajë Konferencën e Parë ndërqeveritare. I kemi të tëra shanset që të fillojmë hapjen e kapitujve me qëllim, që brenda këtij mandati të ri të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe tonit si mazhorancë ne të përmbyllim marrëveshjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Balla.

“Ne duhet të jemi të ndershëm, secili nga ne politikanët e këtij vendi duhet të jemi të ndershëm përpara syve, veshëve, zemrave të shqiptarëve. Se nuk tregon ndershmëri, nuk tregon sinqeritet që në natën e 25 prillit të dalësh para qytetarëve shqiptarë dhe të shpallësh fitoren. Në orën 22:00 të datë 25 prill Lulzim Basha, Monika Kryemadhi apo dhe ne nga krahu i PS, secili prej nesh doli dhe shpalli fitoren. Secili prej nesh deklaroi se brenda kutive të votimit është vullneti i qytetarëve shqiptarë. E njëjta gjë ndodhi në 26 prill. Pastaj kur procesi i numërimit mbaroi, u kthyem përsëri tek avazi i vjetër, që humbësi nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve”, tha Balla.

“Unë mendoj që shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë ne shqiptarëve është që sot ta lexojmë me kujdes vullnetin e tyre të shprehur përmes votës dhe natyrshëm, sikurse e kemi thënë, ne duhet të fillojmë me legjislaturën e re, atë të 10-ën, një punë më intensive për një reformë më të thellë zgjedhore. Besoj që kemi rënë të gjithë dakord që këto zgjedhje do të jenë zgjedhjet e fundit që u administruan nga komisionerë politikë, nga numërues politikë”, tha Balla.

“Të mos harrojmë që marrëveshja e 5 qershorit ishte një kusht që PD dhe LSI patën dhe natyrshëm ne bëmë gjithçka, ne kemi plotësuar çdo tekë dhe çdo dëshirë të dy partive më të mëdha të opozitës dje dhe të opozitës sot. Edhe pse LSI në fakt shkoi për skrap, ashtu sikurse e shkroi vetë destinin e vet politik”, theksoi Balla.

“Dua t’i them PD që rezultati i zgjedhjeve është ai që është në kuti, që doli nga ajo kuti dhe që çdo parti politike duhet ta lexojë. Edhe ne si PS do ta lexojmë me vëmendje, sepse dhe ne nuk kemi pasur në gjithë territorin rezultatin që do të kishim dëshiruar, por sigurisht kemi marrë rezultatin tonë minimal nga pritshmëritë tona, sepse të gjithë e dimë që në shumë pjesë të territorit ne kemi humbur një mandat për shumë pak vota”, theksoi Balla.

“Çdo lloj ankese, çdo lloj mospranimi, ta ndjekim në rrugë institucionale. Pas shpalljes nga KQZ të rezultatit partitë politike kanë 5 ditë kohë për ta kontestuar çdo lloj ankimimi që mund të ketë. Por të dalësh para shqiptarëve dhe madje as me burrërinë për të dalë vetë, por të dalësh përmes deklaratave që ua çon gazetarëve dhe të thuash që unë nuk njoh zgjedhjet, ky është një akt i pandershëm politik që dëmton interesat e Shqipërisë. Në vitin 2021, Shqipëria dëmtohet më rëndë se kushdo tjetër në rast se partitë politike ndjekin të njëjtën këngë të vjetër të pas çdo zgjedhjeje”, nënvizoi Balla.

Sa i përket procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës, Balla tha se, “procedura ka hyrë në hullinë institucionale”.

“Unë vlerësoj që është në dinjitetin institucional të këtij parlamenti, i cili përmbyll mandatin e tij në 9 shtator, por që institucionalisht funksionon deri 2 muaj para datës 9 shtator, që i bie data 8 korrik, unë t’ju them që në respekt të këtij dinjiteti institucional, besoj që ne respektojmë një vullnet masiv të qytetarëve, jo vetëm mbështetës të PS-së. Përkundrazi, mendoj që një vullnet më të madh tek demokratët e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi, që janë ndjerë po aq të fyer sa ne, nga një President Republike që në krye të atij institucioni vetëm Presidentin e Republikës nuk ka bërë”, tha Balla.

“Një person që e ka përdhunuar institucionin e Presidentit në mënyrën më të turpshme. Dhe në dokumentin e paraqitur nga 50 deputetët firmëtarë besoj që gjendet gjithçka, çdo provë juridike për të justifikuar procedurën e shkarkimit dhe për të argumentuar domosdoshmërinë e shkarkimit”, shtoi Balla.

“Kushdo që mendon që procedura e shkarkimit të presidentit ka të bëjë me të ashtuquajturën dëshirë të mazhorancës për të kapur edhe institucionin e Presidentit e ka shumë gabim. Nuk kemi ne asnjë lloj interesi për të marrë institucionin e Presidentit të Republikës. Përkundrazi, ne duam, sikurse e kemi thënë të gjithë së bashku në Rezolutën e  13 qershorit 2019, se ne duam që Shqipëria të ketë një president mbi palët, një President që të përfaqësojë unitetin kombëtar dhe një president që të punojë çdo ditë me të gjitha forcat politike në dobi të interesit kombëtar dhe në dobi të çuarjes përpara të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ne nuk duam një president që të jetë ditën President dhe natën kryetar i shtabit elektoral të një partie politike, kushdo qoftë ajo, qoftë i yni apo qoftë i juaji. Qoftë i PS, apo i LSI-së, apo i PD-së”, tha Balla.

Unë mendoj që në vitin 2021 Shqipëria meriton një hetim të plotë të sjelljes së Presidentit të Republikës si kryetar i shtetit përpara dhe përgjatë fushatës zgjedhore, duke nxjerrë në pah të gjitha problematikat që bien në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Dhe  natyrshëm përsëri Kuvendi i Shqipërisë, i cili është i pari në ndërthurjen ndërinstitucionale që do të shprehet me votë. Dhe natyrshëm do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vlerësoj nëse procedura e shkarkimit dhe vendimi i Kuvendit për shkarkimin është Kushtetues dhe ligjor ose jo”, theksoi Balla.

“Në këtë këndvështrim, mendoj që biem të gjithë dakord që Presidenti i Republikës, duhet hetuar. Biem të gjithë dakord që Kuvendi i Shqipërisë, t’i japë kohën e nevojshme një Komisioni hetimor parlamentar për të identifikuar të gjitha shkeljet, sepse unë mund t’ju them me bindje të plotë që thirrjet për dhunë të presidentit të Republikës ishin shkaku që çuan edhe në veprime tërësisht kriminale nga një pjesë e opozitës. Unë jam dëshmitar si deputet i qarkut Elbasan të një sjellje tërësisht kriminale të PD-së, e cila krijoi grupe të armatosura të cilat çuan deri në vrasjen e një qytetari autokton të Elbasanit. Dhe për mua personalisht vrasja e 21 prillit ka një detyrim për t’u zbardhur deri në detaje. Jo vetëm tek atentatori, por më shumë se kaq tek urdhëruesit e atij akti të rëndë kriminal”, tha Balla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.